Nesër hapet edicioni i 23 i panairit AGROKOS
Me datat 19 dhe 20 tetor hapet edicioni i 23 i panairit ndërkombëtar AGROKOS që mbulon sektorin e agrobiznesit, ushqimit dhe pijeve.
Ky panairi do të hapet në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në orën 18:00.
Në edicionin e 23 të panairit AGROKOS do të marrin pjesë 130 kompani prodhuese, vendore e ndërkombëtare. Në mesin e 130 bizneseve ekspozuese, pjesëmarrës janë edhe pesë komuna të regjioneve të ndryshme të Kosovës si: Komuna e Pejës, Komuna e Gjilanit, Komuna e Malishevës, Komuna e Kamenicës, dhe Komuna e Dragashit.
Secila prej komunave, në panair promovojnë regjionin e tyre me më së paku pesë biznese, ku në fokus e kanë shtrirjen e produkteve të tyre në gjithë tregun e vendit dhe ftojnë vizitorët t’i shijojnë ushqimet unike nga regjioni i Dukagjinit, Anamoravës, Sharrit dhe rrafshit të Kosovës.
AGROKOS është ngjarja e vetme ndërkombëtare e këtij lloji në Kosovë dhe organizohet nga CEO – Congress and Event Organization, e cila është kompania e vetme e specializuar dhe e certifikuar në organizimin e panaireve dhe e eventve biznesore, kompani e themeluar në vitin 2000 me zyrë në Kosovë dhe në Gjemani.