Nesër hapet ekspozita “Vdes kur dua vetë” për Adem Demaçin
Nesër (e premte), me fillim nga ora 12:00, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të hapë ekspozitën “Vdes kur dua vetë”, në të cilën do të shpalosë materiale arkivore origjinale nga veprimtaria politike, patriotike dhe kulturore e heroit të Kosovës, Adem Demaçi, në kuadër të aktiviteteve zyrtare shtetërore për gjashtëmbëdhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në ekspozitë do të paraqiten dorëshkrime origjinale të veprave letrare të shkruara në burg dhe jashtë tij, të botuara apo të ngelura në dorëshkrim, Programi dhe Statuti i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, akte të procedurave penale ndaj Adem Demaçit, si: vendimet për hapjen e hetimeve, aktet e miratimit të arrestimit, procesverbalet e marrjes në pyetje, procesverbalet e raportet nga bastisjet, aktet e gjësendeve të sekuestruara ku shihen materiale të veprimtarisë së tij mjaft interesante, akt-ekspertimet, deklaratat, ankesat, procesverbalet e gjykimeve, aktgjykimet e shkallëve gjyqësore. /Epoka e re/