Nesër hapet konkursi për pranimin e studentëve të UP-së në Qendrën e Studentëve
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP), ka shpallë konkursin për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2024/2025.
Konkursi do të jetë i hapur prej datës 13.09.2024 deri më datën 19.09.2024.
Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit online, në adresat zyrtare të QS, ueb-faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook Qendra e Studenteve-Prishtinë.
Në njoftimin për media thuhet se Qendra e Studentëve këtë vit do të pranojë rreth 4000 studentë.
Qendra e Studentëve ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për studim.
Po ashtu, studentët e rregullt të UP-së, kanë mundësi të aplikojnë veçmas për të fituar të drejtën për t’u ushqyer në mensën e studentëve.
Kriteret për të aplikuar janë të njëjta sikurse për aplikim për konvikt.
Numri i studentëve që do të përfitojnë për ushqim në mensë është 1500 studentë.
“Mënyra e përzgjedhjes së studentëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs.
Çmimi do të jetë 35 euro për muaj (20 euro banimi, 15 euro ushqimi)”, thuhet në njoftim.