Nesër inaugurohet në Prishtinë busti i heroit Hasan Prishtina, vjen edhe presidenti i Shqipërisë
Fondacioni “Hasan Prishtina” nesër (e shtunë) në kryeqytetin e Kosovës organizon inaugurimin e bustit të heroit kombëtar Hasan Prishtina.
Inaugurimi do të bëhet me rastin e dy jubileve, atë të 150-vjetorit të lindjes dhe 90-vjetorit të vrasjes së ideologut, intelektualit e atdhetarit të shquar shqiptar, i cili kishte lindur më 1873 në Vushtrri.
Pjesë e këtij inaugurimi do të jenë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë, pasardhësi i Gjergj Kastriotit Loris Kastrioti – Skënderbeu II, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, etj.
Busti do të vendoset në rrugën “Hasan Prishtina”, në lagjen e re “Priam Village Prishtina” në Prishtinë.
Biografia e Hasan Prishtinës (1873-1933), ideologut të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve, intelektual e atdhetar…
Hasan Prishtina u lind në vitin 1873, në Vushtrri.
Mësimet e para dhe disa klasë të shkollës së mesme i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm.
Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie. Meqë ishte nxënës i mirë dhe kishte mundësi materiale, ai vazhdoi shkollimin në gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge e u njoh me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos.
Në Stamboll, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane, sidomos sa ishte në Selanik. Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Të gjitha këto u gërshetuan harmonishëm me edukatën e tij të lartë e të thellë familjare, me shumë tipare atdhetare duke formuar kështu një personalitet liridashës. Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, gjuhën çerkeze, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë.Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo periudhë, për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, do ishte vendimtare në kthesat historike kombëtare të popullit shqiptar.
Ai u bë njëri ndër protagonistët kryesorë që do të godiste fuqishëm themelet e Perandorisë Osmane në tokat shqiptare, por edhe ta largonte atë përfundimisht nga Shqipëria.
Ky veprimtar i palodhur u bë edhe më i njohur pas vitit 1908, kur u zgjodh deputet i Prishtinës në parlamentin turk. Njëkohësisht, ai dha një kontribut edhe në Revolucionin Xhonturk. Dihet se trojet shqiptare ishin ndër vatrat kryesore të këtij revolucioni, që rezultoi me kthimin e Kushtetutës (Hyrietit) dhe me disa premtime boshe. Kjo lëvizje, e ndikuar nga revolucionet borgjeze evropiane, sidomos nga ai francez i vitit 1789, huazoi prej tyre devizën e njohur: Liri, Barazi, Vëllazëri, e cila u përdor si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike . Në kohën kur u formua Klubi “Bashkimi” i Shkupit, Hasan Prishtina do të ishte pjesë e këtij klubi. Mirëpo, Turqit e Rinj penguan veprimtarinë e klubeve dhe të shoqërive shqiptare. Edhe kësaj radhe për shqiptarët nuk pat asgjë të re, përveç shtypjes dhe shkatërrimeve. Kjo e mundonte shumë Hasan Prishtinën.
Sidomos, në kohën e ekspeditave të Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë, në vitin 1909, e acaruan gjendjen edhe më shumë . Situatë e tillë mbretëroi edhe në pranverë të vitit 1910. Vala kryengritëse shqiptare kundër Turqve të Rinj u shua me gjak. Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër këtyre gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi në këtë drejtim ishte Hasan Prishtina, i cili me diskutimet e tij të zjarrta trazoi gjithë parlamentin. Kështu, ai vendin e deputetit e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai duke qenë një nga përfaqësuesit më të përparuar dhe më largpamës të forcave atdhetare, qysh në fillim, së bashku me deputetët shqiptarë si: Ismail Qemali, Shahin Kolonja etj., formojnë grupin opozitar.
Në kohën kur kishte rënë kabineti i Hilmi Pashës, e që në vend të tij ishte formuar kabineti i ri i Haki Pashës, prapë edhe kjo qeveri ishte antishqiptare. Në kohën kur një deputet turk kishte folur keq për historinë e shqiptarëve, Hasan Prishtina kishte reaguar duke i thënë atij se “Nuk e njeh ti historinë e tij… dhe nuk zbres nga kjo tribunë pa e nxjerr gjithë mllefin e qenies kombëtare. Populli im, në asnjë shekull nuk ka vuajtur, siç po vuan sot. Mbi trungun e tij të hepuar derdhen stuhitë aziatike. Edhe rrahin ta shkulin me rrënjë. I mohohet ta ketë dhe ta ruajë botën e vet, e cila e ka zanafillën prej atëherë, kur ju nuk ishit fare…”Edhe qarqet politike e publicistike serbe ndihmonin politikën antishqiptare të Haki Pashës. Atyre, më shumë se gjithë të tjerëve u interesonte pengimi i përparimit të kombit shqiptar dhe shtypja mizore e kryengritësve që kishin kapluar vendin. Sigurisht, mirëpritnin ekspeditat e Xhavit Pashës kundër shqiptarëve Kryengritja e vilajetit të Kosovës, që shpërtheu në prill të vitit 1910 u shua me gjak nga mbi 50 000 forca të armatosura osmane.
Kjo e kishte tmerruar Hasan Prishtinën, i cili u ngrit në seancën parlamentare dhe kërkoi që të shpërndahej menjëherë kabineti i Haki Pashës, i cili mbante përgjegjësinë për ngjarjet tragjike. Nga fjalët e tij mbrojtëse për kryengritësit u kuptua se ai ishte ideologu i tyre, prandaj gjyqësia turke e dënoi me vdekje. Mirëpo, sulltan Mehmet V Reshit, e amnistoi.Më 3 mars të vitit 1911, Hasan Prishtina duke përkrahur kryengritësit shqiptarë, parashtroi edhe kërkesat kombëtare të tyre, të cilat u refuzuan nga Turqit e Rinj. Këto kërkesa u përkrahën edhe nga deputeti shqiptar në Parlamentin turk, Ismail Qemali.
Ministrat u zemëruan keq. Një deputet, Dervish beu nga Serezi i Maqedonisë, i ra me shpullë Ismail Qemalit. Hasan Prishtinës i erdhi aq keq saqë i kërkoi dyluftim deputetit. Mirëpo, ndërhyri Ismail Qemali: “Biro! Ti i duhesh Shqipërisë!”. Ai e dëgjoi atë dhe iu drejtua masës në parlament: “…ta dini se kjo ngjarje do të sjell gjëra shumë të liga!”Edhe pse pas zgjedhjeve të reja u zgjodhën disa deputetë shqiptarë, Hasan Prishtina e vazhdoi veprimtarinë e tij për lirinë e kombit. Ai denoncoi paudhësitë shoviniste të xhonturqve ndaj shqiptarëve. Duke ditur karakterin e tij, qeveria xhonturke i ka ofruar Hasan Prishtinës 2000 lira vetëm të mos bëhet deputet. Mirëpo, ai u bënte thirrje shqiptarëve të Prishtinës, të Mitrovicës, të Gjilanit, të Preshevës e të Novi – Pazarit të zgjidhnin deputet Hasan Prishtinën. Dhe, në këto zgjedhje, prapë u zgjodh Hasan Prishtina, madje me forcën e popullit.
Hasan Prishtina, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fillim të janarit të viti 1912 në takimin që pati me konsullin austro–hungarez në Selanik deklaroi se pakënaqësia kundër regjimit xhonturk manifestohej kudo në Shqipëri. Meqenëse kërkesa e deputetëve shqiptarë për zbatimin e reformave nuk u pranua nga qeveria xhonturke, Hasan Prishtina, i cili u shqua për guxim nga deputetët e tjerë e shtroi përsëri këtë çështje në seancën e parlamentit turk më 11 janar 1912. Ai dënoi terrorin që ishte ushtruar mbi popullin shqiptar gjatë kryengritjes së Kosovës. Ai iu kërcënua qeverisë me kryengritje të re, nëse nuk do të zbatoheshin reformat në Shqipëri. Në parlament luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri me oficerë vendas, etj.
Në vitet 1908-1912 së bashku me Esat Toptanin, Isa Boletinin, Bajram Currin, ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqës. Qysh nga janari i vitit 1912 ai do të mbajë mbledhje të fshehta së bashku me Ismail Qemalin, Syrja bej Vlorën, Nexhip Dragën, Myfid bej Libohovën, etj., në lagjën «Taksim» të Stambollit dhe do të vendosin për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri. Për këtë vendosmëri e kishte paralajmëruar edhe Mexhlisin otaman, kur Mexhlisi nuk merrte parasysh kërkesat e deputetëve shqiptarë, kërkesat e drejta të tyre për një autonomi të Shqipërisë, ku ndër të tjera deklaron: «… një ndër të parët që do marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndofta i pari ndër të parët do të jem unë».Kështu gjatë pranverës së atij viti fillon përgatitjet e një kryengritje me karakter të përgjithshëm kombëtar duke u lidhur me besa–besë me tribunët popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ahmet Delinë, Mehmet Pashë Deralla, kushëririn e vet Zejnullah begu, etj. Pas një lufte, me betejat triumfale midis 5 majit-18 gushtit 1912, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës.
Toskë e Gegë ia besuan ngritjen e flamurit kombëtar në Shkup më 12 gusht 1912. Me marrjen e Shkupit, kryengritësit shqiptare i çliruan të burgosurit që ishin mbi 1 000 vetë, e shtinë në dorë postë telegrafin dhe suspenduan shumë qeveritarë dhe administratorë turq dhe përkrahës të tyre në Shkup dhe shumë qytete tjera të Vilajetit të Kosovës.Më 18 gusht pas një zvarritjeje të gjatë të përgjigjes qeveria turke doli zyrtarisht se i pranon 12 pika nga 14, kërkesat e njohura me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”, që kërkonin me marrëveshjen e Prishtinës kryengritësit shqiptarë. Midis krerëve të kryengritjes filloi përçarja. Kryengritësit shqiptarë arritën ta çlirojnë Kosovën nga perandoria osmane, por Fuqitë e Mëdha: Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia… duke qenë kundër interesave shqiptare, intensifikuan fuqishëm aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar realizimin e formimit të një shtetit shqiptar (me kufij etnik) në Ballkan. Në tetor 1912 shpallet lufta e parë Ballkanike. Me anë të saj pretendoheshin territoret shqiptare.
Hasan Prishtina, është burgosur më 14 tetor të vitit 1912, nga Ushtria okupatore serbe kur pushtoi Shkupin. Ndërkaq, në fillim të vitit 1913, tre qeveritë, ajo e Italisë, Anglisë dhe Austro-Hungarisë me anë të një memorandumi kërkuan në mënyrë ultimative lirimin e menjëhershëm të Hasan Prishtinës nga burgu dhe ajo ndodhi. U vendos Shqipëria “londineze”. Në vitin 1913 u kthye në Shqipëri dhe u ngarkua nga Ismail Qemali me detyrën e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Kombëtare të Vlorës.
Gjatë Luftës së Parë Botërore u kthye në Kosovë dhe duke shfrytëzuar rrethanat e kohës, nën okupimin e Austro-Hungarisë u bë përsëri promotori i arsimimit të shqiptarëve duke hapur shumë shkolla anembanë Kosovës. Gjithashtu, në mënyrë sekrete, pengonte rekrutimin e shqiptarëve në njësitë ushtarake austro-hungareze për t’i dërguar në frontin e Galicisë, kundër Rusisë.
Dekorohet nga fundi i vitit 1916 me urdhrin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh (Gross-Offizier). Gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen Kombëtare edhe në Shkup e rrethinë që ishte pushtuar nga Bullgaria, ku, më 1917, u burgos nga policia bullgare. Hasan Prishtina, u arratis nga burgu pasi theu dritaren e qelisë duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt; në këtë rast ai dëmtoi rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë. Me themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër më 1918, të udhëhequr nga Hoxhë Kadriu (1878-1925) u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Në këtë komitet ishin edhe këta atdhetarë të njohur: Bajram Curri, Avni Rrustemi, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Pejani, Azem Galica, Elez Isufi, Sotir Peci, Sotir Kolea, etj.Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.
Në dhjetor të vitit 1921 kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes të qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga kjo kryengritje. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.
Në veprimtarinë e tij do të ketë pengesa të mëdha, si nga ana e shteteve ballkanike, Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, të përkrahura nga Fuqitë e mëdha, sidomos nga Rusia e Franca, dhe nga shqiptarë, nga Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, etj.
Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.
Në këtë rast, Sotir Kolea, në gazetën dyjavore «L’ALBANIE», që dilte në Lozanë të Zvicrës në gjuhën frënge, do të shkruan më 19 janar 1919 shkrimin me titull: Une voix d’Albanie (Një zë i Shqipërisë), ku ndër të tjera do të thotë« …Dans l’appel si noblement et si virilement patriote qu’on va lire, c’est la voix de tout le peuple albanais, depuis des siècles assoiffé de liberté et d’indépendance, qui retentit. Dans les circonstances actuelles, notre peuple ne pouvait trouver d’interprète plus fidèle et plus autorisé que le groupe de patriotes qui se pressent autour de M. Hassan Béy Prishtina, signataire, en leur nom, de la supplique à M. Wilson. …Në apelin aq fisnikërisht e me aq burrëri atdhetare që do ta lexojmë, është zëri i gjithë popullit shqiptar, i etur qysh me shekuj, për liri dhe pavarësi, zë që jehon.
Në rrethanat aktuale, populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik dhe më me ndikim se grupi i atdhetarëve që janë rreth z. Hasan Bej Prishtina, në kërkesën që i bëjnë Z. Wilson, në emër të tyre.Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Financon “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja nxirrte në Vjenë. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër qeverisë të Zogut në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë.
Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq t’a lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan kundër tij atentate me armë.
Kështu, vetëm në Vjenë, për vrasjen e Hasan Prishtinës, dërgohen, së paku pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim Lika- Lisi, Kruja (janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928) e ndoshta, diku në atë kohë, edhe Hasan Kosova.[15] Në Paris i vdiq e shoqja, Igballja. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut.
Më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, të cilin e konsideronte mik. Çela në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933 në rrugën Çimisqi, pas një bisede të vrazhdë, kishte nxjerrë rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe kishte goditur me 4 plumba trupin e Hasan Prishtinës. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes.
Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinë me një vendim të Republikës Socialiste të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.