Nesër “Junts” e çon në Kuvend nismën për njohje të pavarësisë së Kosovës nga Spanja
Grupi i deputetëve katalunas “Junts” i kanë propozuar Parlamentit të Spanjës një nismë përmes të cilës do t’i kërkojnë qeverisë së Spanjës njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nisma e tyre do të hidhet në votim më datën 25 qershor. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express shefi i stafit të Carles Puidgemont, Josep Alay.
“Votimi do të ndodhë të martën e ardhshme, pra 25 qershor”, ka thënë Alay për Gazetën Express.
Partia katalunase “Junts per Catalunya” e cila është e përfaqësuar në Parlamentin e Spanjës më 5 qershor e kanë dërguar një propozim parlamentar në Parlamentin e Spanjës ku i kërkojnë Qeverisë së Spanjës që ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.
Nisma, e cila do të debatohet të martën e ardhshme, argumenton se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milion banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.
Duke iu përgjigjur arsyetimeve të pesë shteteve të BE-së që s’e njohin ende pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe Spanja, “Junts” ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë si e tillë.
“Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thonë nga “Junts” në memorandumin shpjegues.
Sipas mendimit të kësaj partie, “nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur, sipas nismës, në të cilën “Europa Press” kishte qasje, “Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën” dhe që nga janari i kaluar “Qeveria është detyruar të njohë pasaportat kosovare pasi Kosova i është bashkuar regjimit të përjashtimit për vizën për qëndrim të shkurtër në zonën Schengen”.
Për të gjitha këto arsye, “Junts” konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikën e Kosovës”.
Në këtë kuptim, teksti i paraqitur thjesht propozon që Kongresi duhet të nxisë “Qeverinë ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.