Nesër kanë mbledhje, duan t’i mbledhin 7.5 miliardë euro
Liderët e vendeve kryesore evropiane janë zotuar se do të mbledhin miliarda euro për zbulimin e një vaksine kundër sëmundjes Covid-19 si pjesë e aleancës ndërkombëtare kundër koronavirusit.
Përmes një konference donatorësh, e cila pritet të mbahet të hënën, po synohet mbledhja e 7.5 miliardë eurove për financimin e luftës globale kundër sëmundjes së re.
Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Norvegjisë si dhe zyrtarë të lartë të BE-së kanë thënë se përhapja e virusit ka shkaktuar shkatërrim dhe dhimbje në të gjitha pjesët e botës.
Synimi i kësaj nisme është forcimi i sistemeve shëndetësore, të cilat do të ofronin vaksina dhe trajtim për të gjithë, me vëmendje të veçantë në Afrikë, shkruan “Daily Mail”, transmeton Express.
Me këtë plan gjithashtu synohet që të përshpejtohen zbulimi, prodhimi dhe shpërndarja e vaksinave kundër koronavirusit dhe për këtë u ofrua përkrahje edhe për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Zotimi për ndarjen e këtyre fondeve është nënshkruar nga kryeministri italian Giuseppe Conte, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.