Nesër mbahen dy interpelanca për kryeministrin Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nesër (e enjte) do të paraqitet në dy interpelanca parlamentare.
Interpelanca e parë ka të bëjë me vendimin për rritjen e pagave dhe e dyta për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Rendi i ditës për seancën e nesërme të Kuvendit:
1. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale,
2. Debat parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, z. Kujtim Shala dhe gjashtë (6) deputetëve nënshkrues lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës të Kosovës,
3. Shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ratifikimin e nëntë (9) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë,
4. Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.
5. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së grupi parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.