Nesër mbahet akademi nderimi e mirënjohjeje për veprimtarin Mehmet Hajrizi
Në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 41-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, të hënën, më 4 prill 2022, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë mbahet akademi nderimi e mirënjohjeje për veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi.
Akademia fillon në orën 17:00, ndërsa organizohet nga Shoqata “Lëvizja”.
Mehmet Hajrizi është njëri nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes kombëtare klandestine të viteve ’70-’80-të në Kosovë dhe kryeredaktor i organeve të saj, “Zëri i Kosovës”, “Pararoja” dhe “Liria”, ish i burgosur politik, ndërsa pas viteve të ’90-ta njëri nga udhëheqësit politikë të vendit.
Ishte anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë më 1999 dhe më pas zëvendëskryeministër në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Po ashtu ka ushtruar edhe pozita të tjera institucionale.
Mehmet Hajrizi është autor i disa librave dhe merret gjithashtu me shkrime publicistike.