Nesër mbahet mbledhja e dy qeverive, këto janë 14 marrëveshjet që do të nënshkruhen
Nesër (e mërkurë), Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do ta mbajnë mbledhjen e radhës në Gjakovë.
Ky do të jetë takimi i parë dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Edi Rama, pas propozimit të draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ky i fundit.
Sipas agjendës, takimet do të nisin në ora 11:00, kur edhe pritet të mbërrijë delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë në vend. Ndërkohë, hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë – Shqipëri do të bëhet në ora 11:30 në Bibliotekën e qytetit, në Gjakovë.
Në orën 12:40 do të bëhet fotoja e përbashkët e dy qeverive, ndërsa në 12:45 në Teatrin e qytetit “Hadi Shehu” do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve ndërqeveritare.
Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen janë këto:
Memorandumi i mirëkuptimit për parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit
Deklarata e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë
Marrëveshja për bashkëpunimin në lehtësimin e procedurave në pikat e inspektimit kufitar për produktet me origjinë jo shtazore
Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën fitosanitare
Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor (ndarja e bursave)
MOU “për realizimin e olimpiadës së përbashkët në lëndën e Gjuhës Shqipe, për Klasat e 9-a, në arsimin parauniversitar”
Marrëveshja për shkëmbimin e përvojave lidhur me pjesëmarrjen në vlerësimet ndërkombëtare të nxënësve dhe zhvillimin profesional të mësuesve
Marrëveshja për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
Protokolli shtesë i marrëveshjes së bashkëpunimit lidhur me ofrimin e shërbimeve shëndetësore
Memorandumi i bashkëpunimi në fushën e inspektimeve
Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e teatrit
Memorandumi i mirëkuptimi midis MSHMS dhe MINT
Marrëveshja teknike në lidhje me “Bashkëpunimin në Fushën e Mjekësisë Ushtarake”
Memorandumi i bashkëpunimit në lidhje me “lehtësimin e procedurave të tranzitit të kalimit të mallrave ushtarake për qëllime dhe nevoja të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.