Nesër mbahet testi i fazës së parë në kuadër të garës “Eureka 6”
Gjimnazi “Hasan Nahi” në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera” organizon edicionin e gjashtë me radhë të garës së inteligjencës “Eureka”.
Testi i fazës së parë të kësaj gare tashmë tradicionale të miratuar dhe të përkrahur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe drejtoritë komunale të arsimit do të mbahet nesër (e shtunë) në orën 11:00 do në të gjithë Kosovën në shkollat e përcaktuara nga komunat përkatëse.
Gara “Eureka 6” sfidon dijen e rreth 2 000 nxënësve më të mirë nga e gjithë Kosova të përzgjedhur nga klasat e 9-ta nga komunat e ndryshme të Kosovës.
Në mesin e të gjithë konkurruesve do të përzgjidhen 250 finalistë të cilët do të kualifikohen për në fazën finale të garës “Eureka” ku do të testohen sërish më 23 mars të vitit 2019 në ora 11:00 në ambientin e Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë.
Qëllimi dhe synimi i organizimit të kësaj gare është që të gjithë së bashku t’i dalim për zot brezit të ri të vendit tonë për t’i inkurajuar dhe motivuar për dijen dhe shkencën, dhe njëkohësisht për të rritur cilësinë e arsimit, i cili llogaritet si investimi më i mirë për një të ardhme më të ndritur dhe të sigurt për atdheun tonë.
Në këtë garë i jepet mundësia që çdo nxënësi nga klasat e 9-ta të garojë, të zhvillojë mënyrën e të kuptuarit, arsyetuarit dhe të logjikuarit të tij dhe të zbulojë talentin e vet.
Për komunën e Prishtinës testi i “Eurekës” do të mbahet në orën 11:00 në gjimnazin “Hasan Nahi”.
Me këtë rast drejtor i Gjimnazit “Hasan Nahi”, Fatih Bamja, u ka dëshiruar nxënësve suksese.
Mediet janë të ftuara që të përcjellin këtë eveniment shumë të rëndësishëm për nxënësit nga mbarë Kosova.
/Epoka e re/