Nesër mbesin pa ujë Fushë Kosova, zona industriale dhe lagjja Kalabria
Komuna e Fushë Kosovës, zona industriale dhe lagjja Kalabria nesër do të kenë ndërprerje të furnizimit me ujë si pasojë e punimeve teknike.
Sipas njoftimit nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, konsumatorët e Fushë Kosovës, lagjes Kalabria dhe zonës Industriale nesër duke filluar nga ora 07:00 deri në ora 21:00, nuk do të kenë furnizim me ujë nga sistemi i rezervuarit në Shkabaj.
Ndërprerja e ujit bëhet si shkak i punimeve teknike në realizimin e kyçjes – degëzimit për linjën e re OD 630 mm ne drejtim të Fushe Kosovës.
“Pas përfundimit të kësaj kyçjeje mbetet të bëhet edhe dezinfektimi final i linjës, realizimi i zoonimeve finale në qytet dhe në bazë të planifikimeve shpresojmë që Fushë Kosova të filloj të furnizohet normalisht me ujë nga FPU Shkabaj nga data 18.06.2019”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve, ndërkaq ka bërë thirrje për kursim të ujit.
“Kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët e kësaj zone dhe zonave tjera, pastaj për kursim të ujit të pijes në këto kohë me temperatura të larta, me qëllim që të kenë mundësi, qasje e furnizim të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet ndër të tjera në njoftim.