Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e kaluar do të mblidhet nesër (martë) për ta caktuar rendin e ditës për seancën konstituive të Kuvendit, e cila do të mbahet më 22 mars.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook” ka shkruar me dije se kjo mbledhje shërben vetëm për çështjet teknike. Sipas tij, Kryesia e vjetër vendos për rendin e ditës të seancën konstituive, dhe vendet ku do të ulën deputetët
Postimi i tij i Cakollit:
Mbledhja e nesërme e Kryesisë së legjislaturës së kaluar, lidhur me përgatitjet për seancën konstitutive, shërben vetëm në aspektin teknik, për të caktuar rendin e ditës dhe vendet ku do të ulen deputetët, sipas grupeve përkatëse parlamentare.
Rendi i ditës gjatë seancës konstituive përfshin formimin e komisioneve të përkohshme për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit – që vijnë nga radhët e tri grupeve më të mëdha parlamentare: LV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, si dhe dy nga radhët e komuniteteve, një serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë.