Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat që do të diskutohen
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë nesër mbledhjen e radhës nga ora 11:00.
Në këtë mbledhje pritet të caktohet edhe data për mbajtjen e seancës së re plenare.
Në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 22, 23, 24 shkurt dhe 16 mars 2022 – votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale, atij për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tokën bujqësore, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kimikate, votimi në parim i Projektligjit për Ushqim, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura.
Po ashtu, në rend dite janë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 24, 25 shkurt dhe 16 mars 2022 – shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, pika e papërfunduar nga seanca e jashtëzakonshme, e mbajtur më 15 mars – votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve.
Përgatitjet për seancën plenare të re të radhës është pika e pestë e rendit të ditës, ku parashihen deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.
Pikat që do shqyrtohen në seancën e re plenare, data e së cilës pritet të caktohet, janë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, atij për Pronën Publike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje civile, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, shqyrtimi i raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, shqyrtimi i raportit me rekomandime lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të MASHTI-t për 2020, propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për ndihmë shtetërore.