Nesër mblidhet Kuvendi i ASHAK-ut, pritet shkarkimi i Mehmet Krajës

15 shkurt 2023 | 18:54

Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të mblidhet nesër për shkarkimin e kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja, pas publikimit të analizës skandaloze: “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, në të cilën Kraja shprehu mendimet e veta dhe i publikoi si qëndrim të ASHAK-ut.

Në këtë analizë u pretendua se idenë e shkëmbimit të kufijve e përcolli ish-presidenti Hashim Thaçi, pas themelimit të Gjykatës Speciale. Më tej thuhej se Thaçi ishte “planifikator” për ndarje të Kosovës bashkë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Demokracia.com ka siguruar ftesën për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pas kërkesës së 10 anëtarëve të akademisë, të cilët kërkuan të shqyrtohen veprimet e papërgjegjshme të kryetarit të tyre, Mehmet Krajës. Kjo ftesë për shqyrtim u dërgua nga vetë Kraja si kryetar.

Demokracia.com më parë ka publikuar edhe kërkesën për mbajtje të Kuvendit të nënshkruar nga dhjetë anëtarë.

Ky Kuvend është thirrur me vetëm një pikë të rendit të ditës: Veprimet e papërgjegjshme të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Aty është kërkuar edhe shkarkimi i kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja.

“Në mbështetje të Ligjit Nr. 05/L-038 për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), neni 13, para. 4.3 dhe të Statutit të ASHAK, neni 29, para. 4.3, 8 dhe 13, ne, të nënshkruarit, anëtarë të rregullt dhe anëtarë korrespondentë të ASHAK, i kërkojmë Kryesisë së ASHAK-ut që në afatin statutor ta thërrasë KUVENDIN E JASHTËZAKONSHËM, me një pikë të rendit të ditës: VEPRIMET E PAPËRGJEGJSHME TË KRYETARIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS”, thuhet në kërkesën e tyre.

Në këtë dokument ishin bërë të ditura edhe arsyet për thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Kuvendit:

1. Kryetari i ASHAK, Akademik Mehmet Kraja, me sjelljet e tij imponuese, të papërgjegjshme, e të paligjshme, si dhe me deklaratat skandaloze publike e ka dëmtuar rëndë Akademinë dhe imazhin e saj në qarqet shkencore dhe artistike.

2. Seksioni i Shkencave Shoqërore, unanimisht, në mbledhjen e mbajtur më 23 dhjetor 2022, i ka dënuar sjelljet e Kryetarit dhe ka kërkuar nga ai “reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë, duke e botuar rrejshëm dokumentin “SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISË NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR.” Me atë rast, Kryetari e ka shkelur rëndë edhe integritetin e Administratës së ASHAK, duke e shtyrë që atë dokument me autorësi të falsifikuar, ta publikojë në faqen zyrtare të ASHAK-ut.

3. Shkeljet flagrante dhe anti statutore të Akademikut Kraja ngrisin shqetësimet e anëtarëve të ASHAK edhe në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ndryshe, Mehmet Kraja është kritikuar ashpër në vend, pas publikimit të analizës skandaloze: “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.

Institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve në Kosovë e ka komentuar edhe figurën e Thaçit, që është një nga politikanët më të rëndësishëm në Kosovë në dy dekadat e kaluara. AShAK-u ka dhënë edhe një interpretim krejtësisht konspiracionist e skandaloz.

Në nëntitullin “Ideja për ndarjen e Kosovës”, AShAK-u sipas analizës së Krajës vlerëson se ideja e ndarjes së Kosovës është ide e nacionalizmit serb dhe e dishepujve të saj më të spikatur, si Çubriloviqi dhe Qosiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 12-vjeçare është aksidentuar për vdekje teksa ishte duke skijuar…