Nesër ndeshja e parë e Kosovës në Botërorin U18
Çdo gjë është gati për Kampionatin e dhjetë Botëror për hendbollistet e reja (U18) që do të mbahet në Chuzhou të Kinës prej 14 deri më 25 gusht. Pjesë e kësaj ngjarjeje globale është edhe Kombëtarja e Kosovës, e kualifikuar përmes IHF Trophy.
Gjithsej janë tetë grupe me nga katër ekipe kombëtare. Kosova U18 është në Grupin D së bashku me Francën, Brazilin dhe Indinë. Ndeshjet do të zhvillohen në tri arena të ndryshme: Chuzhou International Handball Hall (me kapacitet prej 7000 vende), Chuzhou Olympic Sports Center (6488) dhe Chuzhou Vocational and Technical College Stadium (3600). Të mërkurën, më 14 gusht, vashat e Kosovës luajnë ndaj Brazilit. Ndeshja zhvillohet nga ora 16:00 në arenën me 3600 ulëse.
Ndërsa të enjten Kosova nga ora 16:00 përballet me Francën. Ndërkohë të shtunën e ardhshme nga ora 14:00 është ndeshja India – Kosova. Më pas janë edhe ndeshjet për plasman. Grupi është shumë sfidues, por KosovaU18 ka bërë përgatitjet e duhura për paraqitje sa më të denjë në Botëror. Paraqitja në Botërorin në Kinë është sukses tjetër historik i Federatës së Hendbollit të Kosovës.