Nesër në Gjermani Samiti i 10-të i Procesit të Berlinit, në fokus tregu i përbashkët rajonal
Samiti i 10-të i Procesit të Berlinit do të zhvillohet nesër në Berlin, ku do të marrin pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së – duke u fokusuar në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, sipas N1.
Përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – marrin pjesë edhe vendet anëtare të BE-së të përfshira në proces, duke përfshirë Kroacinë.
Samiti do të fokusohet në bashkëpunimin rajonal, një treg të përbashkët rajonal dhe axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në takim do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për një plan të ri veprimi për një treg të përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.
Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.
Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe qëllimi kryesor i formatit që në fillim ka qenë t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me BE-në – në mënyrë që të përbushin rekomandimet e bëra në BE në Selanik në 2003, kur këtyre vendeve iu premtua anëtarësimi në BE.
Vitet e fundit, Procesi i Berlinit ka fituar rëndësi për shkak të ndikimit në rritje të fuqive si Rusia, Kina dhe Turqia në rajon, të cilin BE-ja dëshiron ta parandalojë.
Disa nga arritjet më të mëdha të Procesit të Berlinit janë nënshkrimi i një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik rajonal, për heqjen e vizave dhe njohjen reciproke të diplomave. /atsh/