Nesër në Nju-Jork takohen liderët nga Ballkani Perëndimor, Kosova përfaqësohet nga Osmani
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka udhëtuar për në Nju-Jork. Atje ai do të presë dhe do të marrë pjesë në ngjarje shumëpalëshe të nivelit të lartë dhe do të zhvillojë plot takime dypalëshe.
Ai, siç njofton BE-ja, do t’i mbledhë liderët nga Ballkani Perëndimor për takimin tradicional të organizuar në margjinat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Atje Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila dje është nisur drejt Nju-Jorkut.
Të martën Borrelli, bashkë me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë në sesionin hapës të Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Po atë ditë planifikohet takimi i Borrellit me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Agjenda e Borrellit përfshin edhe takime tripalëshe me Bashkimin Afrikan dhe Kombet e Bashkuara, takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, e pjesëmarrje në takimin e ministrave të jashtëm të G7-s.