Nesër në Podgoricë nënshkruhet marrëveshja për heqjen e sigurimit kufitar me Malin e Zi
Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit z. Sami Mazreku së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi Boris Saban, nesër në Podgoricë do ta nënshkruajnë marrëveshjen për njohjen reciproke të certifikate të sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella, në Republikën e Kosovës dhe Malin e Zi.
Njoftimi i plotë:
Ju njoftojmë se nesër me datë 25.06.2021 në ora 14:00 në Podgoricë, Mali i Zi, drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit z. Sami Mazreku do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit me Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi z. Boris Saban, për njohjen reciproke të certifikate të sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella, në Republikën e Kosovës dhe Malin e Zi.
Me nënshkrimin e MoU-së në fjalë, drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Kosovë do të prezantojnë Kartonin e Gjelbër valid, ndërsa në anën tjetër drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Kosovës gjatë hyrjes në Malin e Zi do të prezantojnë certifikatën e sigurimit TPL + valide, e cila aplikohet edhe në MoU-të me Maqedoninë dhe Serbinë.
Më tutje, përmes këtij memorandumi të nënshkruar ndërmjet dy Byrove në cilësinë e përfaqësueseve të industrive të sigurimit, synohet të arrihet lëvizja e lirë e qytetarëve duke mundësuar rritjen e potencialit të zhvillimit ekonomik dhe rritjen e qarkullimit të mallrave e shërbimeve, duke siguruar çdo herë mbrojtjen e të drejtave të policëmbajtësve dhe palëve të treta të dëmtuara, në kuadër të zbatimit të Rregullores së Brendshme të Këshillit të Byrove dhe legjislacionit të secilit vend.
Byroja Kosovare e Sigurimit