
Nesër në Prishtinë inaugurohet lapidari për dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva
01 prill 2025
| 16:33
Nesër, më 2 prill, në orën 12:00, bëhet inaugurimi i lapidarit për dëshmorët e parë të kryengritjes së vitit 1981, veprimtarët e lirisë Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Ceremonia zhvillohet në vendin ku 44 vjet më parë ranë dy dëshmorët në ballë të demonstratës, afër objektit të qeverisë dhe prapa monumentit të Skënderbeut, në Prishtinë. Më 2 prill 1981 Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ishin organizatorët e demonstratave të shkollarëve të Elektroteknikës. Dy shokët e pandarë rreth orës nëntë paradite u vranë nga plumbat e snajperëve të oficerëve ushtarakë serbo-jugosllavë, të vendosur në objektin, atëbotë, të Bankës Popullore, në një shtetrrethim të hekurt ushtarako-policor.