Nesër në Prishtinë protestohet kundër koordinimit të pushtetit me Radojçiqin
Në kundërshtimin të veprimeve të fundit të qverisë, një grup i qytetarëve ka thirrur protestë për nesër (e shtunë) në Prishtinë.
Në një njoftim, i cili është shpërndarë në rrjete sociale është thënë se kjo protestë është kundër koordinimit të qeverisë Kurti me Milan Radojçiqin, të dyshuarin për krime të ndryshme në Kosovë.
Sipas këtij njoftimi, protesta do të mbahet nesër (e shtunë) në sheshin “Skënderbe”, duke fillua nga ora 18: 00.
“Qeveria e Kosovës nuk po tërhiqet na veprimet skandaloze. Prandaj, të shtunën më 15 korrik protestojmë të gjithë kundër skandaleve qeveritare, kundër koordinimit me Millan Radojqiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”, është thënë në njoftim.
Gjithashtu, në njoftim është bërë me dije se në protestë do të kërkohet nga Mimoza Kusari-Lila ta dorëzojë mandatin e saj të deputetes.
“Mioza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojçiqin, kundër luftërave të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”, është thënë në njoftim.
Ndryshe, idenë për protesta e ka dhënë fillimisht Daut Haradinaj, zyrtar i AAK-së, i cili i ka reaguar Kusari-Lilës pasi ajo e ka akuzuar Ramush Haradinajn për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së.
“Duket se me apo pa koordinim, protestat janë të pashmangshme”, kishte shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Në audio-incizimet e publikuara nga “Nacionale”, Kusari-Lila e përmend edhe protestën e veteranëve të UÇK-së. Në lidhje me këtë, ka reaguar Faton Klinaku, sekretar i OVL-së së UÇK-së. Klinaku ka thënë se është duke u dëshmuar një bashkëpunim në mes pushtetit dhe Listës Serbe. Sipas tij ky bashkëpunim është i pamoralshëm dhe e pakuptueshëm. Madje, ai ka kërkuar edhe hetim ndaj Kusarit-Lilës dhe Simiqit.
“Pas përgjimeve, së paku prokuroria duhet që t’i intervistojë deputetët Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiq, se pse mbajnë kontakte me një të ndjekur nga shteti i Kosovës siç është Milan Radojçiq, e qe besa t’iu ngre aktakuzë për këtë, pasi edhe mund ta dinë vendndodhjen e tij”, ka shkruar Klinaku në “Facebook”.