Nesër në xhamitë e Kosovës do të jepet mesazhi kundër përdorimit të narkotikëve
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka bërë me dije se nesër (e premte) në të gjitha xhamitë e Kosovës, në hytbenë e xhumasë, do të jepet mesazh i njësuar kundër përdorimit të narkotikëve dhe në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës së Qeverisë të themeluar për këtë qëllim.
“Të enjten e kaluar, më 18. 07. 2019, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava është takuar me shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, z. Avdullah Hasanin. Nga takimi me z. Hasanin, Myftiu Tërnava ka marrë vendimin që hytbeja e kësaj të premteje (e ditës së nesërme) të jetë e njësuar në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve”, është thënë në njoftimin e BIK-ut.
Sipas këtij njoftimi, myftiu Tërnava ka vlerësuar si shumë të qëlluara dhe ka përgëzuar Qeverinë për vendimet e saj për të themeluar Task-Forcë dhe për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve në shkolla dhe përgjithësisht nga të rinjtë dhe ka shprehur gatishmërinë që Bashkësia Islame t’i ofrojë Task-Forcës në gjithë veprimtarinë e saj asistencën e kërkuar fetare.
/Epoka e re/