Nesër nënshkruhet kontrata për Final 8 të Kupës në basketboll
Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se nesër (e mërkurë) nga ora 11:00 do të organizoj konferencë për media me rastin e nënshkrimit të kontratës për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, ndërmjet FBK-së dhe KB Rahoveci, si organizator i këtij eventi.
Kontrata do të nënshkruhet nga Elvira Dushku, sekretare e Përgjithshme e FBK-së dhe Bekim Hoxha, kryetar i KB Rahoveci.
Bordi i FBK-së së fundi ka marr vendim që Final 8 i Kupës së Kosovës për vitin 2019 të organizohet në Rahovec nga klubi i basketbollit Rahoveci. Në konkursin e hapur nga FBK prej 28 dhjetor 2018 deri më 9 janar 2019 për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, ka konkurruar KB Rahoveci, duke i plotësuar të gjitha kushtet në bazë të konkursit dhe Udhëzuesit për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës.
Final 8 i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 27 shkurt deri më 3 mars. Më 27 dhe 28 shkurt do të luhen ndeshjet çerekfinale, si dhe gjysmëfinalet në konkurrencën e femrave, kurse më 1 mars ato gjysmëfinale te meshkujt, derisa finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen më 3 mars.
Duhet theksuar se me këtë rast KB Rahoveci do të bëjë përurimin e palestrës së re “Mizair Isma”, në të cilën kanë filluar punimet para dhjetë viteve. Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat.