Nesër nënshkruhet marrëveshja e dytë e lehtësuar nga Grenell, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për hekurudhat

13 shkurt 2020 | 23:11

Duket se edhe negociatat për hapjen e korridorit hekurudhor Prishtinë-Beograd, pas linjës ajrore, nesër do të marrin fund.

Nga Munihu lajmi.net merr vesh se nesër në mëngjes do të nënshkruhet edhe Marrëveshja për Transportin Hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ishte negociuar në zyrën e ambasadorit Grenell para disa javësh nga palët negociuese të të dyja shteteve.

“Nesër në orën 09:30 do të bëhet nënshkrimi i Marrëveshjes për Transportin Hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tashmë për këtë ngjarje janë njoftuar edhe gazetarët që po e mbulojnë Konferencën e Munihut këtu”, ka thënë një burim i lajmi.net.

Përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës ishin takuar disa javë më parë në Ambasadën Amerikane në Berlin me homologët e tyre serbë, për të biseduar për mundësinë e hapjes së korridorit hekurudhor Prishtinë-Beograd.

Në këtë takim të ndërmjetësuar nga ambasadori Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari special i Presidentit Trump për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, palët ishte thënë se kanë zhvilluar “diskutime konstruktive”, dhe i kanë përafruar qëndrimet që së shpejti do të çonin në një marrëveshje./Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar vendimin e Kurtit…