Nesër nis fushata për zgjedhjet në veri, KQZ-ja fton partitë që t’u përmbahen rregullave
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se nesër (e hënë) do të fillojë fushata pesëditore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.
Ai ka treguar se gjatë kësaj periudhe subjektet politike kanë të drejtë që të organizojnë tubime apo ngjarje politike, ose aktivitete tjera të ngjashme, përmes së cilave synojnë përkrahjen e votuesve.
“Pra janë pesë ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për të bërë fushatë zgjedhore”, ka deklaruar Elezi për gazetën “Epoka e re”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka ftuar subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre që t’u përmbahen ligjeve të Republikës së Kosovës dhe rregullave zgjedhore.
Elezi ka theksuar se vetëm në këtë mënyrë do të kontribuojnë një procesi zgjedhor të rregullt të pranuar.
“Pa dyshim se subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre kanë rolin kryesor në proces zgjedhor të qetë, të lirë dhe demokratik. Prandaj, ne bëjmë thirrje që kjo të arrihet”, është shprehur Elezi.
Fushata zgjedhore përfundon të premten, ndërsa procesi zgjedhor do të zhvillohet më 19 maj.
/Epoka e re/