Nesër nuk mbahet mësimi, Jasharaj: Fëmijët s’kanë çka të shkojnë në shkollë, mësimdhënësit në grevë
Kryetari i Sindikatës së Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se po të kishte mirëkuptim nga ana e qeverisë, nesër (e enjte) do ishte fillimi i vitit të ri shkollor, por siç ka theksuar ai të gjitha mundësitë janë harxhuar dhe për këtë shkak, punëtorët e arsimit do të jenë në grevë.
“Kjo do të vazhdojë derisa qeveria fillon dhe bisedon me ne”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për medie.
Më tutje, Jasharaj ka kërkuar nga prindërit dhe nxënësit mirëkuptim për mosfillimin e mësimit për shkak të grevës.
“Fatkeqësisht duhet t’i drejtohem prindërve dhe nxënësve për mirëkuptim, s’ishte vullnet i yni, por s’kishim zgjidhje tjetër. Për hir të sigurisë së nxënësve, angazhimet e tyre t’i orientojnë nga qeveria për dialog dhe lus prindërit që të mos enden rrugëve të shkojnë në shkollë kot. Greva do të zgjasë më pak nëse qeveria ulet dhe fillon realizimin e kërkesave tona”, ka thënë Jasharaj.
Përkundër deklaratave të Jasharajt, nga MAShTI kanë bërë të ditur se janë parapërgatitur për fillimin e mësimit më 1 shtator.