![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/476861539_1338066947379448_3432000362415822135_n.jpg)
Nesër orë poetike për atdheun dhe dashurinë në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”
Nesër, në Ditën e të Dashuruarve, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në lagjen Dardania, në orën 11:00, do të mbahet një takim letrar me poezi kushtuar atdheut (17 shkurtit) dhe dashurisë. Poetë të njohur do t’i deklamojnë vargjet e tyre.
“Duke marrë shkas nga një varg i Azem Shkrelit i poezisë “Bari, s’është bari ynë”, shkruar në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ne vendosëm që këtë orë letrare ta quajmë ‘Poezia na kosovoi’. Sipas Shkrelit, poezinë e kishte filluar për Kosovën e frymëzimi kishte kaluar te dashuria (e shoqja).
Jeni të mirëpritur krijues e lexues!”, ka njoftuar biblioteka “Hivzi Sulejmani”.
Azem Shkreli
Bari, s’është bari ynë
Sime shoqe
Bari s’është bari ynë e di edhe Zoti
Nga tërsëllimë e të cilit s’di si mbimë
Çdo gjë që mësuam me gjasë e dinim moti
Dhe vetë i rrahëm orët që do të vinë
Dhe kohë e vëngër tinëzisht na përkoi
Harrimi qoftë i qartë i bukur i vonë
Një dhembje na deshi fort na kosovoi
Do e pimë pikë pikë nga anatema jonë
E pimë të uruarën dhe kupën për fytyrë
Ia derdhim shenjtit tonë me shumë nderim
Është diku në ne një etje që s’pi mëshirë
Na endet gjakut e njelmët e pashërim
Të rrojë ajo etje e këndshme etje shtarë
Nga e cila merret frymë rriten fëmijë
Nëse i dhamë faunës pakëz Kosovë dhe farë
Në një lule hithe do të çelim përsëri
Qiellin përsëri me flatër do ta çeli
Një zog i galëm është zogu ynë i miri
Bari s’është bari ynë Bebi Shkreli
Ata që s’erdhën kot nuk venë pahiri