Nesër pa pagesë Trafiku Urban në Prishtinë, kjo është arsyeja
Të gjithë ata që nesër do të duhet ta shfrytëzojnë Trafikun Urban në Prishtinë, këtë mund ta bëjnë pa pagesë.
Lajmin e ka bërë me dije Trafiku Urban me anë të një komunikate për media. Sipas kësaj kompanie, vendimi është marrë për nder të Ditës ndërkombëtare pa makina.
“Bazuar në vendimin e Komunës së Prishtinës, për nder të Ditës ndërkombëtare pa makina, më datë 22.09.2022 lirohen nga pagesa të gjithë qytetarët që shfrytëzojnë transportin publik të N.P.K. Trafiku Urban Sh.A. Qasja në transportin publik promovon dhe siguron lirinë e lëvizjes për të gjithë, pa pasur nevojë të varemi nga statusi i pronësisë së automjeteve. Lehtësirat e mundshme për transport brenda Prishtinës, për qytetarin janë dhe mbeten prioritet i yni”, ka njoftuar Trafiku Urban.