Nesër përfundon afati për vëzhguesit e organizatave vendore dhe ndërkombëtare
Nesër (e shtunë) do të përfundojë afati për organizatat jo-qeveritare, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara për vëzhgimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
“Më 25 janar do të përfundojë afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare – ndërqeveritare, përfaqësive të huaja dhe organizatave ndërombëtare. Për të lehtësuar aplikimin, KQZ ka funksionalizuar platformën eletronike (https://apliko.kqz-ks.org), pra për dallim nga proceset e kaluara zgjedhore, aplikimi mund të bëhet online”, ka njoftuar Elezi.
Sipas Elezit, pas afatit të 25 janarit, do të mbetet vetëm një afat tjetër i hapur, për akreditimin e mediave.
“Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt. Edhe mediat mund të bëjnë aplikimin e tyre online. Deri më tani, kemi pranuar dhjetëra aplikime nga media vendore dhe ndërkombëtare, që kanë kërkuar akreditimin e qindra përfaqësuesve të tyre të cilët do të mund të përcjellin votimin në ditën e zgjedhjeve, por edhe proceset tjera në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.