
Nesër përpjekja e tretë për Haxhiun në krye të Kuvendit – a do të sigurojë VV-ja shumicën?!
Dilemat për emrin të cilin do ta propozonte Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit u shuan të shtunën e 19 prillit, kur pas betimit të deputetëve, Albulena Haxhiu nga kjo parti u propozua që të jetë kryekuvendare, raporton Gazeta Blic.
Ndonëse ishte përfolur si emër për kandidate, ishte përfolur edhe Fatmir Limaj si kandidat i mundshëm.
Por, Haxhiu nuk arriti të zgjedhej në krye të Kuvendit në dy përpjekje.
Në herën e parë kur u propozua, ajo mori 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime.
E në dështimin e dytë, ajo mori sërish 57 vota për, ndërsa 19 kundër e 3 abstenime.
Haxhiut i munguan 4 vota që do të bënin 61 në total dhe në këtë mënyrë të mund të zgjedhej kryetare e Kuvendit.
Të hënën (21 prill) do të vazhdojë seanca e Kuvendit në ora 15:00, ku Albulena Haxhiu do të jetë sërish kandidate për të qenë në krye të Kuvendit, pavarësisht dy dështimeve që i pati të shtunën.
Ajo që tërhoqi vëmendje ishin 3 votat e Nismës së abstenuan, ani pse pritej që ta mbështesnin atë.
Kryetari i Nismës, tani deputet i Kuvendit, tha se vota është e drejtë e secilit deputet.
Nga PDK thanë se s’kanë votë për askënd nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga LDK më herët ishin deklaruar se nuk kanë votë për VV-në, as për Kuvend e as për Qeveri.
Ndërsa nga AAK, thanë se do të votonin pro VV-së për kryetar të Kuvendit, nëse kandidate do të ishin Saranda Bogujevci ose Shqipe Mehmeti Selimi.
Në mungesë të katër votave dhe pas dy përpjekjeve të dështuara për t’u zgjedhur, Albulena Haxhiu nesër do ta ketë përpjekjen e tretë që të jetë në krye të Kuvendit.
Mbetet për t’u parë nëse Lëvizja Vetëvendosje do t’i sigurojë 4 votat e munguara, apo do të dështojë sërish ky votim.