Nesër përurohet libri me tregime “Kthimi i babait” i Adil Ollurit
Nesër në orën 12.00 në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në katin III, në sallën rrethore, do të përurohet libri me tregime “Kthimi i babait” i shkrimtarit Adil Olluri. Këtë organizim do ta bëjë Qendra për Kulturë dhe Edukim Sheshi, e cila, në profilin e vet në “Facebook”, ka dhënë këtë njoftim:
“QKE ‘Sheshi’ ju fton në përurimin e librit me tregime ‘Kthimi i babait’ të shkrimtarit Adil Olluri.
‘Kthimi i babait’ është libër me tregime të zgjedhura, i botuar këtë vit nga Sh. B. ‘Onufri’, Tiranë.
Përurimi do të bëhet më datë 28.12. 2023, ora 12:00, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, kati III, salla rrethore.
‘Kthimi i babait’ është një përzgjedhje e tregimeve nga dy librat e mëparshëm, si ‘Shumë rrugë dhe një rënie’ (Parnas, Prishtinë, 2013) dhe ‘Kthimi i profetit’ (Armagedoni, Prishtinë, 2019). Po ashtu, në të janë të përfshirë edhe dy tregime të shkruara vitet e fundit, si ‘Mjaullima’ (i botuar në të përjavshmen për letërsi dhe kulturë ‘ExLibris’, 2023) dhe ‘Legjenda për ditët e murtajës’ (i botuar në revistën letrare prishtinase ‘Jeta e re’, 2023).
Nga përmbledhja ‘Shumë rrugë dhe një rënie’ janë përzgjedhur këto tregime: ‘Kthimi i babait’, ‘Vrasja e Talit’, ‘Bartësi i shpirtrave të përzënë’ dhe ‘Panairi i ëndrrave’. Ndërsa nga përmbledhja ‘Kthimi i profetit’ janë përzgjedhur këto tregime: ‘Barku i balenës’, ‘Transistori’, ‘Plaku dhe tri fotografitë’, ‘Tender për transport kufomash’ dhe ‘Kozmosi i një të ndryshmi’”. /Epoka e re/