Nesër pritet të fillojë mbajtja e testimit praktik për patentë shofer (Video)
Nesër (e hënë) pritet që të fillojë mbajtja e testimit praktik për patentë shofer, pasi për më shumë se dy javë ky testim nuk është mbajtur për shkak të skadimit të vendimeve të ekzaminerëve.
“Kosovapress” ka mësuar nga burime të saj brenda Ministrisë së Infrastrukturës, se janë duke i analizuar ndryshimet ligjore pas hyrjes në fuqi të ligjit për zyrtarët publik dhe se brenda javës do të gjejnë një zgjidhje.
Por se testimi do të fillojë të mbahet qysh nga nesër për “Kosovapress” e ka konfirmuar kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli, i cili ditën e premte kishte pasur një takim me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës.
Cakolli ka thënë se pas takimit që ka pasur, është informuar se disa ekzaminerë të cilët kanë kontratë do mbajnë testimin praktik.
Ai ka theksuar se mungesa e ekzaminerëve ka ardhur pasi disave u ka skaduar kontrata, ndërsa sipas tij, disave iu ka skaduar licenca.
Cakolli ka thënë se as ai nuk e ka të qartë se pse Ministria e Infrastrukturës nuk ka organizuar testimin e ekzaminerëve për rilicencim, por që thotë se mund të jetë për shkak se ministri dhe qeveria është në largim.