Nesër protestohet në QKUK dhe spitalet tjera të Kosovës, kjo është arsyeja
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizikë që punojnë në QKUK dhe spitalet tjera të vendit do të protestojnë nesër (e premte).
Në njoftimin e kësaj sindikate është bërë me dije se protesta do të zgjasë një orë.
“Nesër me datë 11.09.2020 nga ora 13:00 deri 14:00 të gjithë punëtorët teknikë si dhe ata të sigurimit fizikë, të cilët punojnë në QKUK, në spitalet rajonale, në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe ambulancat, do të protestojnë për një orë, në vendet e tyre të punës”, ka njoftuar kjo sindikatë.
Kjo protestë do të mbahet për shkak të mospërfshirjes së këtyre punonjësve në listën për marrjen e 300 eurove nga shteti, për rrezikshmërinë në punë nga pandemia.
“Protesta bëhet për shkak te mos listimit edhe te këtyre kategorive për marrjen pagës prej 300 euro nga shteti për rrezikshmërinë në punë nga pandemia Covid-19. Udhëheqja sindikale gjatë kohës së protestës do ta vizitojë Qendrën Kryesore te Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe QKUK-në”, ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.