Nesër protestojnë banorët e Karaçevës kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe
Banorët e brezit kufitar me Serbinë do të protestojnë nesër (mërkurë). Protesta do të mbahet prej orës 12:30.
Sipas njoftimit të Bashkësisë Lokale të Karaçevës protesta do të mbahet në rrugën e “Bay Pass”-it në hyrje të Karaçevës .
Një ftesë nga kjo bashkësi lokale është adresuar për të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i përkrahin me pjesëmarrje në këtë protestë banorët e Karaçevës.
Kontaktuar nga “Zëri” përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale për fshatin Karaçevë, Selver Lenjani tha se protesta organizohet me kërkesën që ta marrin më shumë parasysh situatën e Karaçevës.
“Qytetarët janë të shqetësuar, këto që po ndodhin nuk janë në rregull. Ftojmë të gjithë që të jenë pjesëmarrës në këtë protestë”, tha Lenjani.
Lenjani ka bërë të ditur se për protestën janë njoftuar Policia e Kosovës, si dhe KFOR-i.