Nesër seanca konstituive, LV-ja dhe LDK-ja ende pa marrëveshje

25 dhjetor 2019 | 13:03

Kuvendi i Kosovës ka dërguar njoftim zyrtar për mbajtjen e seancës konstitutive këtë të enjte, në orën 15:00.

Nga zyra për media e Kuvendit është bërë me dije se në rend të ditës janë tri pika. “1. Formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve; 2. Dhënia e betimit të deputetëve; dhe 3. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”, është thënë në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk kanë arritur ende marrëveshje për koalicionin qeverisës, ndonëse kanë mbetur edhe dy ditë nga mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk janë takuar as të martën për të biseduar për këtë çështje, ndërsa zyrtarët e këtyre partive kanë polemizuar në distancë.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të martën se është i gatshëm të takohet me liderin e LV-së, Albin Kurti. Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Mustafa ka deklaruar se po e pret thirrjen e Albin Kurtit për takim.
Ndërkaq deputetja e LV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë të martën se pret nga përfaqësuesit e LDK-së që do t’i hapin udhë krijimit të institucioneve. Ajo shpreson se marrëveshja LV-LDK do të arrihet para konstituimit të Kuvendit.

“Qeveria LV-LDK do të ketë shumë punë para vetes. Na është dhënë besimi e qytetarët presin të fillojë sa më parë jetësimi i programit për të cilin jemi pajtuar tashmë bashkë. Shpresoj shumë që të arrihet marrëveshja para konstituimit të Kuvendit. Pres që përfaqësuesit e LDK-së dhe deputetët që kanë marrë përgjegjësi nga qytetarët, të jenë aktivistë të vërtetë politikë, të tillë që pozitën e deputetit e shohin si përgjegjësi, si mundësi për të punuar për të mirën e përgjithshme dhe se me votim të qeverisë do ta fillojnë punën për realizimin e përgjegjësive për besimin që kanë marrë. Na nevojitet një qeveri e ndryshimit që bazohet në mirëbesim e bashkëpunim konstruktiv”, ka thënë Nagavci.

KDI-ja kërkon formimin e institucioneve të reja

“Tanimë kur kanë kaluar katër muaj që nga shpërndarja e legjislaturës së VI të Kuvendit të Kosovës, dhe një muaj që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, vendi po vazhdon të qeveriset nga qeveria në dorëheqje dhe pa mbikëqyrje të Kuvendit. Kjo gjendje është duke cenuar parimin e kontrollit dhe balancës të pushteteve”, është thënë në komunikatën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI)

Sipas KDI-së, thirrja e seancës konstituive për datën 26 dhjetor është hapi i parë formal drejt krijimit të institucioneve të reja, respektivisht konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson që subjektet politike parlamentare kanë pasur kohë të mjaftueshme për të arritur pajtueshmëri për propozimet për kryetar dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, për votimin e të cilëve kërkohen të paktën 61 vota për.

“KDI-ja u bënë thirrje subjekteve politike parlamentare që në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet për arritjen e konsensusit për formimin e institucioneve të reja. Çdo sjellje politike irracionale dhe bllokuese do ta pengojë konstituimin e institucioneve shtetërore dhe do t’i minojë pritjet e qytetareve për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, mirëqenie e jetë të dinjitetshme. KDI-ja rikujton që Qeverinë e re të Kosovës e presin çështje që kërkojnë trajtim të menjëhershëm siç janë miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal, implementimi i reformave që derivojnë nga MSA-ja, si dhe emërimi i anëtarëve të institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

Tre skenarët e seancës konstituive të Kuvendit

Njohësi i proceseve politike në vend, Artan Murati, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar për tre skenarët e seancës konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor.

Ai ka thënë se skenari i parë është më i mirë nëse arrihet marrëveshja, ndërkaq nëse mbetet që institucionet të formohen me skenarin e dytë dhe të tretë, atëherë fillojnë telashet.

“Skenari i parë, më i miri: arrihet marrëveshja e koalicionit. Zgjedhja e kryetarit dhe e kryesisë bëhet shpejt dhe thjesht. Deputetët betohen, konstituimi kryhet. I dyti: nuk ka marrëveshje. LV-ja e propozon kandidatin për kryetar Kuvendi. Nëse votohet, mirë. Nëse nuk votohet, fillojnë telashet. Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk parasheh çka ndodhë nëse votimi është negativ. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se propozimin për kryetar të Kuvendit e mban ekskluzivisht grupi më i madh parlamentar, që i bie Lëvizja Vetëvendosje. Nëse nuk kalon i pari, duhet konsensus për emrin e propozimit tjetër të LV-së. I treti, më i keqi: meqenëse nuk ka afat për konstituim të Kuvendit, dhe meqenëse veç LV-ja e ka të drejtën për propozim të emrit për kryeparlamentar, seanca mund të bllokohet. LV nuk paraqet propozim, ose nuk merr pjesë në seancën konstituive. Këtu fillojnë lojërat e tjera politike. Shpresoj që do të ndodhë skenari i parë. Nuk kemi kohë për të humbur, as edhe një ditë të vetme”, ka shkruar Murati.

/Epoka e re /

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Samir Nasri ka sulmuar hapur Mohamed Salahin që po rezulton…