Sot seanca për “Qeverinë Kurti”

02 shkurt 2020 | 23:39

Kuvendi do të votojë sot në orën 11:00 për formimin e Qeverisë së re të Kosovës me Albin Kurtin, kryeministër.

Qeveria e re që pret miratimin nga Kuvendi, është rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për formimin e qeverisë, janë të nevojshme të paktën 61 vota për, nga 120 deputetë sa ka kuvendi. Duke mos llogaritur komunitetet pakicë, LV dhe LDK kanë së bashku 57 vota në  Kuvend.

Bazuar në marrëveshjen LV-LDK, qeveria e re do të ketë 15 ministri. Prej tyre, nga 6 ministri do t’i kenë LV dhe LDK, kurse 3 ministri u takojnë komuniteteve pakicë. Po ashtu, qeveria do të ketë edhe 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talenti 17-vjeçar Ansu Fati me dy gola i ka sjellë…