Nesër seancë e jashtëzakonshme, për herë të tretë do të votohet ligji për sponsorizime
Nesër do të mbahet seancë e jashtëzakonshme ku do të tentohet që për herë të tretë të votohet në lexim të dytë projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe votimi i amendamentit 5 të propozuar nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, që mundëson harmonizimin dhe funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime.
Votimi në lexim të dytë i projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave ka dështuar në dy raste, ku deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në votim. Ky projektligj njëherë kishte arritur të marrte 60 vota dhe javën e kaluar ka marrë 55 vota.
Mos votimi i këtij projektligji nga ana e deputetëve të opozitës ka marrë kritika të shumta nga sportistët, ku është thënë se nuk po votojnë një projektligj që i hap rrugë investimit në sportin kosovar.
Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, që është propozuesi i amendamentit 5, që mundëson funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime, thotë se deputetët opozitarë për shkak të kalkulimeve politike po dëmtojnë sportistët.
“Kryesisht kanë qenë probleme të kalkulimeve politike, sepse një pjesë e deputetëve të partive opozitare të LDK-së dhe të Vetëvendosje nuk kanë votuar deri më tani ose kanë abstenuar, kanë ndenjur në seancë, por nuk kanë marrë pjesë fare në votim, për shkak për të dëshmuar që pozita nuk i ka të gjithë numrat. Prandaj, edhe ky amendament nuk ka marrë votat e nevojshme për të kaluar në dy raste, në një rast ka arritur të ketë edhe 60 vota për një nuk ka kaluar dhe në rastin e fundit ka marrë 55 vota, për 6 vota nuk kaloi. Amendamenti të cilin e kam bërë unë, amendamentin 5 në ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave që mundëson funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizim dhe harmonizimin e tij, pra harmonizimin e këtyre dy ligjeve mes veti, e kam bërë për të vetmin qëllim, sepse mandatin e kaluar kemi miratuar ligjin për sponsorizime që rregullon në detaje sponsorizimet në fushën e kulturës, rinisë dhe s portit dhe ka qenë mese e domosdoshme që ai të harmonizohet me ligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave. Pra, kemi bërë këtë që ai të jetë funksional, sepse zbritjet e lejuara të cilat parashihen me ligjin për sponsorizime janë zbritje të tatimeve prej të cilave përfitojnë drejtpërdrejtë sportistët”, ka deklaruar Haxhiu për “KosovaPress”.
Ai tha se amendamenti i propozuar nga ai ka qenë kërkesë e investitorëve dhe e sportistëve. “Ka qenë kërkesë e investitorëve, e donatorëve dhe e sportistëve që të kenë një ligj të veçantë për sponsorizimin në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Prandaj edhe e kemi miratuar ligjin i cili ka hyrë në fuqi me 19 janar 2017, por që nuk është zbatuar nga Administrata Tatimore me arsyetimin se nuk është në përputhje me ligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe zbritjet e lejuara tatimore që parashihen sipas ATK-së. Edhe pse mendoj që ligji ka pasur mundësi të zbatohet nga ATK, sepse edhe me ligjin e kaluar thotë se nëse kjo çështje rregullohet me akt të veçantë ligjor atëherë mund të llogaritet ato, por që nuk ka pasur një gatishmëri nga ish-ministri i Financave dhe po mendoj që ne e kemi bërë punën e duhur, e harmonizojmë duke votuar amendamentin 5”, u shpreh ai.
Deputeti Haxhiu beson së deputetët nesër do të reflektojnë dhe të votojnë për të ndihmuar dhe zhvilluar sportin.
Në seancën e javës së kaluar projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe amendamenti i propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu nuk kishte arritur që të kalonte. Deputeti i AAK-së Blerim Kuçi kishte votuar kundër.
Kuçi për “KP”, ka thënë se nuk ka votuar kundër ligjit për Sponsorizime e as ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, por kundër amendamentit të propozuar nga deputeti Haxhiu.
“Ligji nuk është votuar, sepse nuk kemi pasur mundësi ta votojmë as nuk është tentuar të votohet ligji. Amendamenti i z.Haxhiu po, nuk kishte kuorum dhe unë kam qenë kundër në parim, sepse kam qenë kundër brenda Komisionit dhe i bindur dhe sot e kësaj dite jam i bindur që ai ligj ashtu siç e ka propozuar Komisioni është më i mirë, sesa një amendament që ka propozuar z.Haxhiu. Për të ndryshuar mendimin e komisionit, me rregullore të Kuvendit duhet me i thirrë anëtarët e Komisionit, me një mbledhje tjetër të Komisionit atëherë me ndryshu vendimin. Unë e vërejta sepse njerëzit biejnë edhe në ndikimin e publikut, por duhet të bëhet e qartë, nuk e kemi votuar ligjin, kemi pasur rastin tentim të votimit të një amendamentit. Unë po shpresoj që ligji kish kalua pa problem. Në një farë mënyre z.Haxhiu e ka penguar votimin e këtij ligji, duke e paraqitur një pengesë përmes një amendamenti”, tha Kuçi.
Deputeti Kuçi ka dhënë një mendim të tij se ku ndryshon ligji me amendamentin e propozuar nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu.
“Ku ndryshon amendamenti i z.Haxhiu dhe i komisionit, vetëm rruga për të ardhur deri tek përfitimi i sportit. Ne kemi dashur me pas kontroll më shumë, z.Haxhiu ka qenë më liberal në këtë mos kontroll. Pra, komisioni edhe ministria e Financave kanë propozuar diçka që ajo të bëhet përmes librave të kontabilitetit kurse vlera është e njëjtë që e përfiton sporti. Ne po lypim më shumë kontroll, dikush është më liberal në këtë kontroll”, potencoi ai.
Ditë më parë xhudistët kosovar në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” të mbajtura në Bjellorusi, vendit i sollën medalje të shumta, e ata pas këtij suksesi kanë kërkuar që deputetët të votojnë projektligjin.
Trajneri i xhudos Driton Kuka, dje pasi është kthyer nga Minsku ka uruar që ky sukses i tyre të shërbejë si reflektim për ata deputetë që nuk e kanë votuar Ligjin për Sponsorizim në mënyrë që ta bëjnë këtë dhe sportistët të shpërblehen për mundin e tyre. “Po pres që ata deputetë që se kanë votuar Ligjin për Sponsorizim të reflektojnë sepse garuesit dhe sportistët për djersën që e derdhin në stërvitje meritojnë që të kenë përkrahje edhe për këtë ligj”, ka thënë dje Kuka pasi ka ardhur nga Bjellorusia.
Seanca e jashtëzakonshme për votimin në lexim të dytë i projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe votimi i amendamentit 5 që mundëson harmonizimin dhe funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime, do të mbahet nga ora 10:00.