Nesër takohen Trepça – Vëllaznimi
Me ndeshjen Trepça – Vëllaznimi fillon xhiroja e 16-të e Superligës së Kosovës për hendbollistë.
Kjo ndeshje e rivalëve të vjetër luhet të premten (nesër) nga ora 18:30 në Mitrovicë. Të dy skuadrat kanë fituar para një jave kurse tashmë janë në mesin e tabelës. Vëllaznimi është në vend të pestë me 12 pikë derisa Trepça renditet e shtata me 9 pikë.
Kjo ndeshje i lë vend tri takimeve që luhen të shtunën. Të shtunën zhvillohet edhe superderbi i stinorit pranveror në mes të Kastriotit e kampionit aktual, Besa Famgas. Derbi luhet në Ferizaj, të shtunën nga ora 19:00. Kastrioti e Besa Famgas i kanë nga 28 pikë dhe mbajnë dy pozitat e para në tabelë. Janë këto dy ekipet kryesore në garën për titull, pa harruar Prishtinën që është e treta me 26 pikë. Ndeshjen e luajtur në Pejë mes Besës e Kastriotit e kishte fituar Besa me dy gola diferencë (21:19).
Pritet që ndeshja në Ferizaj të jetë shumë e fortë, cilësore dhe një reklamë e mirë për hendbollin kosovar në përgjithësi. Poashtu pritet të ketë numër të madh shikuesish për të parë dy skuadat që në rradhët e veta kanë shumë lojtarë reprezentues të Kosovës.
Të shtunën janë edhe ndeshjet Drita – Drenica (17:30) dhe Samadrexha – Zhegra (19:00). Ndeshja e fundit e xhiros së 16-të është ajo në mes të Prishtinës e Vushtrrisë që luhet të dielen nga ora 14:30.
Para ndeshjeve të seniorëve luhen ndeshjet e ligës së kadetëve.