
Nesër tri ndeshje në Superligë, Rahoveci synon t’i rikthehet fitoreve
Të shtunën zhvillohen tri ndeshjet e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Deri në fund të stinorit të rregullt kanë mbetur edhe tri xhiro dhe shumë prej gjërave tashmë janë vendosur.
E hapur mbetet gara për pozitën e dytë e po ashtu për të shmangur pozitën e parafundit.
Ndeshjet e fundjavës mund të kenë ndikim në renditjen përfundimtare.
Lideri i klasifikimit, Rahoveci, nuk pritet të ketë telashe për të fituar dy pikët e reja. Luan nga ora 19:00 me Trepçën në Mitrovicë. “Vreshtarët” fundjavën e kaluar u ndalën në barazim nga Kastrioti, pas 24 fitoreve rresht. Rahoveci në plejof starton nga pozita e parë. I ka 49 pikë. Trepça është e shtata me 12 pikë, ndërsa synon që të përfundojë e gjashta dhe të shmang plejautin.
Kastrioti synon të vazhdojë momentin e mirë në ndeshjen ndaj Prishtinës, që po ashtu zhvillohet nga ora 19:00. Kastrioti është i dyti me 39 pikë, ndërsa Prishtina e katërta me 25.
Në Podujevë prej orës 19:00 takohen Vushtrria e Llapi. Vushtrria është e pesta me 16 pikë, ndërsa Llapi i gjashti me 13.
Në Ligën e Parë të hendbollistëve është xhiroja e 13-të. Të shtunën është takimi Istogu – Drenica (19:00), ndërsa të dielën janë takimet Vëllaznimi – Deçani dhe Drita – Prizreni (Kamenicë).
Te juniorët është xhiroja e dytë. Në Grupin A, të dielën ndeshjet luhen në Ferizaj: Kastrioti – Llapi (10:00), Vushtrria – Ulpiana (12:00), Trepça – Prishtina (14:00).
Në grupin B, të hënën është ndeshja Istogu – Vëllaznimi (19:30, Banjë), ndërsa të martën përballen Besa Famgas e Deçani (17:00, Pejë).
Të shtunën e të dielën vazhdon gara në Ligën e pioniereve. Ndeshjet luhen në Obiliq, Ferizaj e Gjakovë.