Nesër turniri për dëshmorin Demush Mavraj

15 maj 2021 | 20:12

Nesër (e diele) do të organizohet turniri tradicional në futboll të vogël për nderë të dëshmorit Demush Mavraj.

Turniri do të mbahet në Shkollën Fillore “Ismail Qemaili” në Saradran nga ora 10:00. Pikërisht në këtë shkollë dëshmori Demush Mavraj ka qenë mësimdhënës deri në ditën kur e rroku pushkën për çlirimin e vendit nga okupatori serb.

May be an image of 1 person dhe text that says 'TURNIR NE FUTBOLL Të VOGEL DEMUSH MAVRAJ ME RASTIN E 22 VJETORIT TẾ RENIES HEROIKE TẾ DESHMORIT "DEMUSH MAVRAJ", ORGANIZOHET TURNIR NỀ FUTBOLL TẾ VOGEL. TURNIRI DO TE MBAHëT NE SHKOLLEN FILLORE "ISMAIL QEMALI" NỀ SARADRAN. የAMA DEMUSH PH1 SISTEMI LOJES ESHTE 4+1. PARAQITJA E EKIPIT 20€ PJESEMARRIA JUAJ NDERON DESHMORIN 16.05.2021 10:00 NR. KONTAKTUES: +383 44 131 662 383 49 474 762'

Demush Kamber Mavraj (15.1.1949 – 7.5.1999)

Në luftën Çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, secila trevë dhe secili fshat i Kosovës u shqua me luftëtarët e vet të veçantë e të devotshëm, të cilët shpalosën gjoksin para armikut shekullor serb dhe rrëmbyen armën e trimërisë kundër tij. Me të tillë luftëtarë të lirisë, të cilët flijuan jetën e tyre për të ardhmen e lirë të Kosovës e të popullit të saj, u shqua edhe fshati Saradran (ish-Staradran) i komunës së Burimit (ish-Istog). Njëri prej tyre ishte dëshmori Demush Mavraj.

Dëshmori Demush Mavraj ka lindur më 15 janar të vitit 1949, në Saradran. Prindërit e tij, Kamberi e Fana, me mjaft peripeti rritën edhe tre fëmijët e tjerë: Xhaferin, Gjylsymen e Zejnepen.

Shkollën fillore, Demushi, pjesërisht e kryen në fshatin e lindjes dhe në Terstenik, ku funksiononte shkolla e plotë fillore. Pastaj regjistron gjimnazin, të cilin për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, e vijon po ashtu pjesërisht në Pejë e në Klinë. Meqenëse merrej me aktivitete të ndryshme sportive, por edhe për shkak të prirjes së theksuar që kishte për shumë degë të sportit, pasionohet në sport dhe i lind dëshira ta studiojë edukatën fizike, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës.

Pas përfundimit të studimeve ushtron profesionin e mësimdhënësit në shkollat fillore të fshatrave të afërme Zallq e Terstenik. Një kohë të caktuar punoi si mësimdhënës i edukatës fizike në Shkollën e Mesme Ekonomike të Pejës, ndërsa më vonë vazhdoi të punojë në shkollën e fshatit të lindjes, e cila mbante emrin e plakut të Vlorës e të Pavarësisë shqiptare, Ismail Qemaili. Gjatë punës si mësimdhënës dhe edukator i brezit të ri, Demushi dëshmon përkushtim të lartë ndaj profesionit. Ai organizon aktivitete të shumta sportive për nxënësit e tij, të cilët në garat komunale e rajonale arrijnë të dallohen e të fitojnë mirënjohje. Për të nderuar këtë aktivitet dhe angazhim, në përvjetorin e rënies së tij, çdo 7 maj, në komunën e Burimit (ish-Istog) organizohet turnir përkujtimor. Po ashtu, emrin e këtij dëshmori, sot e mban edhe stadiumi fudbollistik i kësaj qyteze.

Në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, kur shqiptarët u nxorën jashtë sistemit arsimor, neofashizmi serb ia ndërroi emrin shkollës fillore të Saradranit, nga ” Ismail Qemaili “, në ” Trepça “, duke e varësuar dhe bërë këtë shkollë paralele të shkollës fillore të Bajës, e cila po ashtu quhej “Trepça “. Ky gjest antishqiptar i pushtuesit serb e trazoi shpirtin e arsimtarit të edukatës fizike Demush Mavraj dhe e shtoi edhe më tepër urrejtjen e tij ndaj pushtuesit. Për shpirtin dhe ndjenjat e tij ishte i papranueshëm dhe i padurushëm përçmimi i figurave kombëtare, siç ishte ajo e simbolit të pavarësisë shqiptare, Ismial Qemaili. Duke pasur një përcaktim të tillë, Demushi, një ditë, me vendosmëri heq dhe flak me urrejtje mbishkrimin “Trepça” nga shkolla fillore e fshatit të tij. Ky veprim i tij inkurajoi bashkëpunëtorët e tij mësimdhënës, si dhe bashkëfshatarët për t’iu përkushtuar edhe më shumë organizimit të procesit mësimor në kushtet e përndjekjes serbe. Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij procesi, gjatë viteve 90 ai ishte mjaft aktiv në organizimet lokale për mbledhjen e ndihmave materiale për shkollën, ku si njeri që gëzonte autoritet të lartë në rrethin e tij shoqëror, arrinte mjaft sukses. Si rezultat i angazhimit aktiv kundër pasojave të shtypjes serbe, Demushi bie në sy të policisë serbe, e cila e fton disa herë në stacionin policor të Pejës. Ftesa kishte për motiv kërkimin e armëve. Në rrethana të tilla dhe për të plotësuar nevojat ekonomike të familjes, Demushi një kohë të caktuar qëndroi edhe në vendet Perëndimore.

Dëshmori Demush Mavraj kishte një formim të veçantë shpirtëror. Siç e kishte sportive pamjen fizike, ashtu e kishte humane edhe brendinë e tij shpirtërore. Shkathtësia dhe dinamizmi i tij në jetë bëjnë që gjatë luftës shokët ta thërrasin me nofkën ” Bruslia “. Këto cilësi e bënin atë të afërt me të gjithë njerëzit, e sidomos me të rinjtë, jo vetëm të fshatit të tij, por të gjithë fshatrave përreth. Meqenëse ishte kohë që kërkonte veprim e angazhim të pandërprerë për të sfiduar shtypjen e egër të pushtuesit të harlisur serb, Demushi simbolizonte për gjeneratën e re, për gjeneratën e luftës e të fitores, forcën motorike e dinamike që shpiente përpara zhvillimet kombëtare.

Duke qenë mjaft i parapërgatitur për ngjarje më të mëdha kombëtare, Demushi ishte i gatshëm t’i përgjigjej kushtrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të merrte përsipër përgjegjësinë që i përkiste për organizimin dhe shtrirjen e luftës çlirimtare në fshatin e tij dhe në fshatrat e tjera të Lugut të Drinit. Këtë përgjegjësi e kishte marrë duke qenë në kontakt edhe me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, siç ishte Adem Grabovci, por edhe me eprorë të Zonës Operative të Dukagjinit, përkatësisht të Shtabit lokal të Lugut të Drinit, me qendër në Ruhot, i cili udhëhiqej nga Qerim Berisha. Në kuadër të angazhimit të tij, Demushi me shokë kishte bërë tri tentime për të shkuar në Shqipëri për armatim.

Me formimin e brigadës 133 ” Adrian Krasniqi “, në fillim të muajit janar të vitit 1999, Demushi ngarkohet me detyrën e komandantit të togut, i cili vepronte në fshatin Saradran e në rrethinë. Përkrah tij mobilizohen edhe shumë të afërm e bashkëfshatarë, siç janë: Ibish Mavraj (dëshmor), Bekim Mavraj (dëshmor), Valdet Mavraj, Mujë Mavraj e të tjerë. Ndërkohë bashkëvepron me shumë bashkëluftëtarë, si Hamdi Çetta (dëshmor) nga Trubuhovci, Luan Krasniqi (dëshmor) nga Tersteniku, Qerim Berisha, Vllaznim Berisha nga Tersteniku e të tjerë.

Pas 24 marsit 1999, kur NATO-ja fillon fushatën e bombardimeve kundër militarizmit serb, ky militarizëm vazhdoi edhe më me shfrenim barbarizmin kundër popullsisë civile shqiptare. Si pasojë e këtij shfrenimi, edhe popullsia e fshatrave të Lugut të Drinit u detyruan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre e të strehohen në luginat dhe pyjet e zonës së kontrolluar nga UÇK-ja. Në trevën përgjatë rrjedhës së Drinit të Bardhë tashmë po vepronte me mjaft sukses brigada 133 ” Adrian Krasniqi ” e UÇK-së, e cila nën udhëheqjen e eprorit Azem Veselaj, kishte nën përkujdesje dhjetëra mijëra fëmijë, gra e pleq. Në mbrojtje të kësaj popullate ishte vënë edhe dëshmori Demush Mavraj me togun e vet. Ai deri në rënie nuk do t’i lëshojë nga dora automatikun dhe bombat të cilat do t’i zbrazte mbi armikun. Forcat e këtij armiku ishin përqendruar në pikat strategjike në fshatrat Lutogllavë e Terstenik, ndërsa nga pikat më të largëta, siç ishte ajo e Bajës, granatonin popullatën e rrethuar dhe pozicionet e UÇK-së. Në fillim të majit të vitit 1999, forcat serbe ndërmarrin sulme të pandërprera kundër pozicioneve të UÇK-së në këtë trevë. Qëllimi i tyre ishte të depërtojnë te popullata civile, që ta masakrojnë atë e ta detyrojnë të largohet nga votrat e saj. Një ofensivë të tillë, forcat serbe ndërmarrin më 6 maj të vitit 1999, kundër disa fshatrave të Lugut të Drinit, me ç’rast sulmet orientohen veçanërisht kundër fshatit Terstenik. Me të marrë lajmin për këtë sulm, ushtarë të Brigadës 133, ndër të cilët Demush Mavraj, Ibish Mavraj, Mujë Mavraj, Valdet Mavraj, Nazmi Mavraj e të tjerë, nisen për t’i shkuar si përforcim pozicioneve të UÇK-së në Terstenik. Gjatë rrugës, ky grup luftëtarësh bie në pritë të forcave serbe afër fshatit Terstenik, me ç’rast Demushi dëshmohet për gjeturi dhe zhdërvjelltësi prejstrategu, të cilat bëjnë që prita të tejkalohet pa pasoja. Në atë rast plagoset ushtari Shaip Çetta.

Ofansiva serbe vazhdon edhe ditët vijuese. Më 7 maj 1999, Demushi me bashkëluftëtarë mobilizohet për ta mbrojtur popullsinë civile e për të mos lejuar rënien e sajnë duart e kriminelëve serbë. Popullata e rrethuar, që nga fshati Zabllaç e deri në fshatin Kashicë, tashmë fillon të tundet, në përpjekje për të shpërthyer rrethimin. Një pjesë e saj fillon të zhvendoset në drejtim të Klinës për të marrë rrugën për në Shqipëri. Në orët e paraditës, Demushi me shokët, Hamdi Çetta, Luan Krasniqi e të tjerë, angazhohet për sigurinë e popullatës civile në lëvizje e sipër, duke vëzhguar terrenin nëpër të cilin duhej të kalonte ajo. Mirëpo, rreth orës 10.00, në lagjen Nurçaj të fshatit Kashicë, nga një pritë e afërt, forcat serbe zbrazin rafale plumbash kundër këtij grupi luftëtarësh çlirimtarë. Në këtë shkëmbim zjarri, bien në altarin e atdheut Demush Mavraj, Luan Krasniqi dhe Hamdi Çetta.

Bashkëshortes së tij, Zizës dhe fëmijëve, Artanit, Hekuranit, Agnetës, Artës dhe Sarandës, u mungon edhe çdo shenjë kujtimi për të, meqenëse shtëpia e tyre digjet e tëra. Megjithatë, emri i dëshmorit Demush Mavraj është lartësuar në piedestalin e emrave të paharrueshëm. Figura e tij e ndritshme ndrin e shkëlqen në përmendoren e ngritur në fshatin Saradran, përkrah bashkëluftëtarëve e kushërinjve dëshorë, Ibish Mavraj e Bekim Mavraj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një fshat në Zvicër po lufton për të gjetur një…