Nesër varroset ish-luftëtari i UÇK-së Qerim Kelmendi
Këshilli Organizues i OVL-UÇK-së në Pejë ka njoftuar se varrimi ish-luftëtarit të orëve të para të UÇK-së, Qerim Kelmendi – Dema do të bëhet nesër, në orën 15:00, në Kompleksin Memorial në Gllogjan të Deçanit.
Ndërkaq prej orës 13:00 deri në orën 14:00 do të bëhen homazhe në qendër të qytetit Pejë në sheshin Shkëlzen Haradinaj.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, ish-luftëtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi nga fshati Llabjan i Pejës, është gjetur i vdekur brenda veturës së tij e cila ishte djegur.
Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë ka njoftuar se në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’.
Për vrasjen e Qerim Kelmendit kanë reaguar përfaqësuesit e institucioneve të vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti, liderë partish, kryetarë komunash, OVLUÇK-ja dhe bashkëluftëtarë të Qerim Kelmendit, duke e cilësuar këtë vrasje mizore.
Ata u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt ta zbardhin këtë rast.
/Epoka e re/