Nesër vazhdojnë takimet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në dialogun me Serbinë, të premten, më 25 mars, do të zhvillojë takime në Bruksel në kuadër të procesit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Bislimi do të takohet me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak. Diplomatët në Bruksel këtë takim e quajnë si “takim në kuadër të dialogut” dhe paralajmërojnë se në të njëjtën ditë Lajçaku do të komunikojë përmes videolidhjes edhe me delegacionin e Serbisë. Por, takime midis Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të ketë.
Sipas paralajmërimeve në Bruksel, temat kryesore të diskutimeve pritet të jenë çështja e të pagjeturve dhe ajo e energjisë. Shpesh është thënë se rreth këtyre dy temave ka një përafrim të madh dhe marrëveshja është “pothuajse punë e kryer”. Por, sipas të njëjtave burimeve, kanë mbetur vetëm disa hollësi për t’u sqaruar.
Pala e Kosovës ka thënë se për çështje të energjisë nuk do të bisedohet më me palën serbe, por vetëm me BE-në, e cila ka marrë përsipër edhe lehtësimin e kësaj marrëveshjeje. Por, BE-ja ka mbetur të “sqarojë” me Beogradin disa çështjeje rreth kësaj teme.
Në Bruksel kanë përsëritur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ka shkaktuar pakënaqësi, por shpresojnë që ky vendim të mos ketë ndikim negativ në dialog. Por, siç ka thënë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, BE-ja nuk do të thërrasë takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa qenë e sigurt se në atë takim nuk do të ketë rezultate konkrete.