Nesër vazhdon dialogu mes Kosovës e Serbisë në Bruksel
Nesër (e hënë) zhvillohet takimi i radhës i dialogut mes ekipeve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.
Ky raund bisedimesh pritej të zhvillohej shumë më herët, në muajin janar, por vrasja e Oliver Ivanoviq, bëri që ekipi serb përkohësisht të tërhiqej.
Tani, ekipi kosovar i udhëhequr nga Avni Arifi dhe ai serb nga drejtori për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, takohen për të diskutuar rreth këtyre temave: zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe tabelat e regjistrimit të automjeteve, menaxhimi i kalimeve kufitare dhe zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin.
Shefi i delegacionit të Kosovës për dialog teknik, Avni Arifi, ka bërë me dije se ky proces në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë një dinamikë dhe qasje të re.
Ai ka treguar se takimi i radhës për dialog teknik është caktuar për datën 26 dhe 27 shkurt.
Arifi ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se në këtë takim dhe në takimet e radhës do të insistohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces. “Mosimplementimi i marrëveshjeve apo zvarritja e tyre nga të dyja palët nuk i shërben as qëllimit të dialogut e as ndërtimit të mirëbesimit të ndërsjellë. Do të implementojmë të gjitha obligimet që kemi marrë, njëkohësisht do të insistojmë që obligimet e marra nga pala tjetër të implementohen në tërësi”, është shprehur ai.
Shefi i stafit të kabinetit të kryeministrit ka mohuar çdo mundësi që në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi të diskutohet për shkëmbin të territoreve.
“Asnjë mekanizëm në Kosovë, shtetëror apo partiak, nuk e përkrah idenë e ndarjes. Qeveria e Kosovës çdo herë ka qenë shumë e qartë në këtë dhe është e pakuptueshme pse përsëritet një pyetje e tillë. Kosova me askënd nuk ka as çka të ndaj e as çka të shkëmbejë territor të vet. Idetë për destabilizim permanent të rajonit kanë ekzistuar edhe më parë por, fatmirësisht, ide të tilla nuk janë përfillur”, është shprehur Arifi.