Nesër votohet nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës

07 shkurt 2025 | 08:59

Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, përfaqësitë diplomatike të Kosovës do të shndërrohen në Qendra të Votimit për të pritur shtetasit e tyre për të votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Më 8 shkurt, në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Europë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, 20 mijë e 324 shtetas të Kosovës të cilët gjatë regjistrimit kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi, do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në 19:00, sipas kohës lokale të shtetit përkatës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për EkonomiaOnline për përgatitjet para fillimit të votimit në përfaqësi diplomatike.

“Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë të vendosura në shtete të ndryshme të botës. Pra, procesi i votimit do të zhvillohet në 16 Ambasada dhe 14 Konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues”, tha Elezi.

Sipas tij, në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm shtetasit e Kosovës të cilët kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi në momentin kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 8 shkurt 2025, pasi në Listën Votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024). Sipas Rregullores së KQZ për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, me rastin e votimit në vendvotimin në përfaqësi diplomatike, votuesi identifikohet përmes dokumentit identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi”, theksoi ai për Ekonomia Online.

Sipas KQZ-së, verifikimi i statusit nëse një shtetas është i regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, mund të bëhet në çdo kohë përmes platformës elektronike: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterStatuses.

Sipas vendimit të KQZ-së, në përgjithësi, numri i anëtarëve të 43 Këshillave të Vendvotimit që janë emëruar për t’u angazhuar në vendvotime apo si rezervë, është rreth 200 anëtarë.

Gjatë periudhës 120 ditore (29 gusht – 26 dhjetor 2024) për të votuar jashtë Kosovës janë regjistruar 104,924 shtetas, prej të cilëve 20,324 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndërkaq 17,104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 67,496 për të dërguar pakon me fletëvotim në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës.

Më 9 janar ka filluar periudha e votimit përmes postës për të githë shtetasit e Kosovës që kur u regjistruan si votues jashtë Kosovës e përzgjodhën këtë mënyrë votimi. Kjo periudhë përfundon më 8 shkurt 2025. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E gjithë Europa i ka krijuar ndërtesa të hekurudhave si…