Nesër zhvillohen gjysmëfinalet e para të Kupës në basketboll
Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës do të dhurojnë spektakël të basketbollit, ku katër skuadra duan kualifikimin në finalen e madhe. Gjysmëfinalet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe kush është më e mirë në dy takimet, kualifikohet në finale. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet mes skuadrave rivale, Sigal Prishtinës dhe Trepçës, ku pritet një super sfidë në Palestrën “1 Tetori”.
Dy skuadrat kanë traditë në basketbollin e Kosovës dhe do të luftojnë për fitoren në ndeshjen e parë, që është shumë e rëndësishme. Prishtinasit në çerekfinale eliminuan Pejën, derisa mitrovicasit skuadrën e Proton Cable Prizrenit. Në ProCredit Superligë të dy skuadrat kanë nga një fitore ndaj njëra-tjetrës.
Gjysmëfinalja tjetër po ashtu pritet të jetë mjaft interesante mes Vëllaznimit dhe Bashkimit në Gjakovë. Këto dy skuadra u përballën të dielën në Prizren, ndeshje që përfundoi me fitoren e vendasve 84:73, ndërsa në dy takimet tjera në elitë, dy skuadrat kishin nga një fitore ndaj njëra-tjetrës. Kuqezinjtë në çerekfinale eliminuan Golden Eagle Yllin, ndërsa prizrenasit eliminuan Borën.
Kupa e Kosovës (Gjysmëfinalet)
Të mërkurën takohen:
19:00 Sigal Prishtina – Trepça
19:00 Vëllaznimi – Bashkimi