Nesta: Në mëngjes u stërvita te Lazio, në mbrëmje u prezantova te Milani
Alessandro Nesta ka kujtuar periudhën kur u transferuar nga Lazio te Milani.
Legjenda e futbollit italian tregon se deri në momentet e fundit të afatit kalimtar të verës nuk dihej nëse do të largohej apo jo nga bardhekaltrit.
Por në fund, presidenti Claudio Lotito ishte detyruar ta shiste qendërmbrojtësin te kuqezinjtë, pasi klubi i tij ishte futur në një krizë të thellë.
“Unë s’e kam konsideruar kurrë veten si tradhtar. Lëvizja ime drejt Milanit ishte mjaft e çuditshme, sepse unë e shpëtova Lazion, e cila ishte në krizë financiare. Në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, në mëngjes unë isha në Romë duke u stërvitur në Formello (qendra stërvitore) dhe në mbrëmje e gjeta veten në ballkonin e ndërtesës së Milanit duke e ngritur lart fanellën kuq e zi. Nuk kisha kohë as ta kuptoja se çka po ndodhte. Me Milanin unë kam arritur gjithçka që mund ta ëndërrojë një lojtar i futbollit. Është një klub i madh, si një familje. Jam i lumtur që isha në një klub aq të madh, por i mërzitur njëkohësisht sepse nuk do ta lija kurrë Lazion, edhe nëse arma do të drejtohej nga koka ime…”, ka thënë ish-futbollisti italian.
Nesta kishte debutuar në Serie A me Lazion si 17-vjeçar, ndërsa në moshën 21-vjeçare ishte bërë kapiten i ekipit.
25-vjeçar ai ishte bërë mbrojtësi më i mirë dhe më i paguar në botë, ndërsa kishte fituar gjithçka që është e mundshme me Milanin.
Aktualisht, ai është trajner i Monzas, e cila drejtohet nga ish-shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, i cili e mori klubin në dorë pas vdekjes së presidentit legjendar të kuqezinjve, Silvio Berlusconi.