Netanyahu i shkon Bidenit në Shtëpinë e Bardhë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të qëndrojë të enjten, më 25 korrik, në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohet me presidentin Joe Biden, dhe nënpresidenten, Kamala Harris, e cila ka shprehur synimin e saj për të garuar për postin e presidentes. Këto takime do të zhvillohen në një moment të rëndësishëm për të tre politikanët.
Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë vjen në kohën e rritjes së presionit ndaj tre udhëheqësve që të gjejnë një zgjidhje për luftën 9-mujore, që ka lënë mbi 39.000 të vdekur në Gazë.
Biden po kërkon nga Izraeli dhe Hamasi që të arrijnë pajtim për propozimin e tij, që parasheh lirimin e pengjeve që ende po mbahen në Gazë, përmes tri fazave.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se negociatat janë në fazat finale, por ende ka disa çështje që duhet të zgjidhen.
Pas bisedimeve, Biden dhe Netanyahu do të takohen me familjarët e pengjeve amerikane.
Harris, e cila më pas do të takohet ndaras me Netanyahun, po tenton të demonstrojë se ka aftësi që të shërbejë si komandante supreme. Ajo po ashtu është nën llupën e politikanëve të majtë që thonë se Bideni nuk ka bërë mjaftueshëm që ta detyrojë Netanyahun që t’i japë fund luftës dhe republikanët po synojnë ta paraqesin Harrisin si politikane që nuk ka dhënë mbështetje të mjaftueshme për Izraelin.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se presidenti dhe nënpresidentja nuk kanë asnjë dallim sa i përket Izraelit.
Për herë të fundit, Harris dhe Netanyahu kanë zhvilluar takim dypalësh në mars të vitit 2021, por ajo ka marrë pjesë në mbi 20 telefonata të zhvilluara mes Bidenit dhe Netanyahut.
Netanyahu po ashtu gjendet në një moment të djeshëm politik. Ai po përballet me presion nga familjet e pengjeve në Izrael, të cilët po kërkojnë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi e cila do të mundësonte lirimin e familjarëve të tyre.