Netanyahu i vendosur të vazhdojë ndërtimet në Bregun Perëndimor
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se do të vazhdojë me planin për të ndërtuar rreth 3 500 shtëpi për kolonët hebrenj në një nga zonat më të ndjeshme të Bregut Perëndimor.
Plani ka hasur në vazhdimësi në kritika ndërkombëtare.
Palestinezët, që e kundërshtojnë planin, kishin paralajmëruar se ndërtimet izraelite mund të ndajnë Bregun Perëndimor, të largojnë palestinezët nga Jerusalemi dhe të shuajnë më tej shpresat e tyre për një shtet palestinez.
Rreth 500 000 hebrenj jetojnë në rreth 140 vendbanime të ndërtuara që nga okupimi izraelit i Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor.
“Ndërtimet janë vonuar për gjashtë vjet e gjysmë”, ka thënë Netanyahu në një fjalim, gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Netanyahu është duke kërkuar mbështetje për rizgjedhje në postin e kryeministrin.
Palestinezët dhe pjesa më e madhe e botës i shohin vendbanimet e izraelit në Bregun Perëndimor, të okupuar në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e kundërshtojnë këtë.
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë në fund të vitit 2019, se nuk i konsideron më vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si shkelje të ligjit ndërkombëtar.