Netanyahu kërkon qeveri të unitetit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu sot ka bërë thirrje për formimin e një qeverie uniteti, pasi në zgjedhjet e dyta nuk pati asnjë fitues.
Ai kishte këmbëngulur se do të drejtonte një koalicion midis partive të djathta dhe fetare, por rezultatet e zgjedhjeve deri më tani kanë treguar se as Netanyahu, as kundërshtari i tij kryesor, Benny Gantz i partisë centriste “BardheBlu” nuk do të jenë në gjendje të formojnë qeverinë.
“Gjatë zgjedhjeve, kërkova krijimin e një qeverie të krahut të djathtë. Për fat të keq, rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se kjo gjë nuk është e mundur”, ka deklaruar Netanyahu, duke shtuar se populli ka vendosur për qeveri uniteti. “Populli nuk vendosi midis dy blloqeve, ndaj nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të formojmë një qeveri uniteti”, ka deklaruar ai.
Netanyahu i bëri thirrje Gantz-it që të takoheshin sot.
Kryeministri izraelit u shpreh se ishte kundër zhvillimit të zgjedhjeve reja.