Netanyahu kundër armëpushimit: Është koha për luftë
Benjamin Netanyahu deklaroi të hënën se Izraeli është qartësisht kundër një armëpushimi pas konfliktit me Hamasin. Në një konferencë për mediat, ai tha se tashmë është koha për luftë.
“Njësoj sikurse SHBA-ja nuk do të pranonte një armëpushim pas bombardimit të Pearl Harbour ose pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, Izraeli nuk do të pranojë një ndërprerje të veprimeve ushtarake me Hamasin pas sulmeve të tmerrshme të 7 Tetorit. Thirrjet për një armëpushim janë thirrje që Izraeli t’i dorëzohet Hamasit, t’i dorëzohet terrorizmit. Bibla thotë se ka një kohë për paqe dhe një kohë për luftë”, tha ai që vazhdoi duke u shprehur: “Kjo është një kohë për luftë”.
“Një luftë për të ardhmen tonë të përbashkët. Sot, ne vendosim linjën mes forcave të civilizuar dhe forcave barbare”, u shpreh ai.
Po ashtu, ai deklaroi se qëllimi i Izraelit në operacionin tokësor në Gaza është që të sigurojë edhe lirimin e pengjeve të marrave nga Hamasi.
“Jemi të angazhuar që të kthejmë në shtëpi të gjithë pengjet”, tha Netanyahu.
Sipas tij, Izraeli nuk e nisi këtë luftë, por do ta fitojë atë dhe shtoi se Hamasi është pjesë e “aksit të së keqes” që po formon Irani.
Ndërkohë sot, Izraeli njoftoi se është shpëtuar një ushtare izraelite që u mor peng nga Hamasi. Autoritetet njoftuan se ushtarja Ori Megidish u lirua pas operacioneve tokësore në Gaza.