Netanyahu ndalon ndihmën humanitare në Gaza

02 mars 2025 | 09:35

Izraeli ka njoftuar se po ndalon të gjitha mallrat dhe furnizimet në Gaza.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu pretendoi se Hamasi ka refuzuar “të pranojë skicën e Witkoff për vazhdimin e bisedimeve, për të cilën ra dakord Izraeli”.

Sipas një plani të paraqitur nga i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit do të vazhdojë deri në Ramazan ose deri më 20 prill.

Izraeli tha në një deklaratë se Netanyahu “vendosi që duke filluar nga mëngjesi i sotëm, të ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave dhe furnizimeve në Rripin e Gazës”, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi: “Izraeli nuk do të lejojë një armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë.”

“Nëse Hamasi vazhdon refuzimin e tij, do të ketë pasoja të mëtejshme”, shton deklarata.

Bëhet e ditur se muaji i shenjtë i Ramazanit ka filluar të premten dhe zakonisht zgjat nga 29 deri në 30 ditë.

Nga Gaza dolën foto të palestinezëve që festonin mes rrënojave.

Ndryshe, faza e parë e armëpushimit të rënë dakord më parë skadoi të shtunën.

Faza e parë ndaloi 15 muaj luftime dhe pa lirimin e 33 pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza dhe pesë shtetasve tajlandezë, në këmbim të rreth 2,000 të burgosurve palestinezë.

Zgjatja do të shtynte fazën e dytë të armëpushimit, e cila kishte për qëllim nisjen e bisedimeve për të sjellë një fund të përhershëm të luftës.

Ndërkohë, bisedimet për të ardhmen afatgjatë të Gazës ende nuk janë konkretizuar seriozisht pasi OKB-ja tha se do të duheshin dekada për të rindërtuar enklavën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sirianët kremtojnë Ramazanin e parë të lirë në më shumë…